Antonio Vivaldi, cilësohet si një nga personazhet sa të rëndësishëm, aq edhe dominues në historinë e muzikës botërore. Ai e jetoi epokën e tij me shumë sukses, sidomos rreth vitit 1720, kohë kur Republika Veneciane gjendej në fundin e saj. Vivaldi lindi në Venecia më 14 mars të 1678. Ai ishte djali i një bukëbërësi, që më vonë u bë violinist dhe kompozitor. Juan Bautista, babi i Vivaldit, ishte edhe mësuesi i tij i parë. Ka zëra që thonë se Legrenzi (kompozitor italian), ishte mësuesi i tij në fëmijëri.
Kur ishte 25 vjeç ishte prift dhe profesor i violinës në Konservatorin e Pietas, një shkollë fetare për fëmijë. Por një vit më vonë hoqi dorë nga profesioni i priftit pasi vuante nga asma. Vivaldi mori titullin Kompozitor, kur mbushi 34 vjeç, ndërsa dy vjet më vonë filloi një tur në të gjithë Italinë si dhe në vende të tjera evropiane si në Gjermani, Holandë dhe Austri. Shumë shpejt u bë i famshëm në të gjithë Evropën për virtuozitetin e tij në violinë dhe mbi të gjitha në sajë të muzikës së tij instrumentale, që realizonte me solistët, korin dhe orkestrën e Konservatorit të Pietas. Vivaldi ishte një njeri i pasur, por në 10 vitet e fundit të jetës së tij, ra në varfëri. Ai vdiq më 28 korrik 1741, gjatë një vizite të tij në Vjenë, ku edhe u varros në varrezën e të varfërve. Kompozoi një sërë veprash, sa që dikush thoshte se ai prodhonte muzikë ashtu sikundër një bukëbërës bën bukë. As më shumë dhe as më pak, ai realizoi 554 kompozime, pjesa më e madhe koncerte, por edhe sonata, simfoni, opera… Por muzika që i dha famë Vivaldit në pjesën më të madhe, ishte muzika instrumentale, për të cilën përdorte më shumë violinën dhe oboe. Ai përdorte “tre kohët ” për koncertet e tij, që konsistonin në pjesën e parë e shpejtë (allegro), një pjesë e lehtë (adagio) dhe pjesa e fundit sërish e shpejtë (allegro).
Vivaldi realizoi muzikë vokale, muzikë dhomë, muzikë teatri dhe 46 opera, por askush nuk ka se si të mos e njohë edhe pas kaq kohe, “Katër stinët” apo Koncertin e Pranverës, një vepër arti që imiton në mënyrë perfekte tingujt e natyrës me instrumente. Realisht koncerti është një përshkrim i pranverës ; zgjimi i natyrës, kënga e zogjve, murmurima e ujit, stuhia dhe zogjtë që nisin të këndojnë pas pushimit të stuhisë …(!) Janë instrumentet që realizojnë mbi notat e Vivaldit, shushurimën e gjetheve të pemëve, të lehurën e një qeni apo dhe ambientin e qetë që rrethon një bari të përgjumur. Koncertet e Vivaldit u shndërruan në një model për të gjithë Evropën. Dhe kjo, jo vetëm se koncertet e tij kishin një shkathtësi të madhe, por edhe për teknikat e reja që ai përdori në violinë .Shumë njerëz i kërkonin këshilla Vivaldit si Carlo Tessarini, Guiseppe Fedeli, G. B. Somis, Pisendel… etj. Bach, nuk i kërkoi kurrë këshilla, por ai e studioi veprën e tij dhe adoptoi formën e tre kohëve që përdorte Vivaldi. Handel, gjithashtu adoptoi disa nga stilet e Vivaldit si koncertet me tre kohë. Por, Vivaldi nuk influencoi vetëm bashkëkohësit e tij. Një shekull më vonë veprat e tij do të kujtoheshin nga Mendelson. (atsh)