Tiranë, 23 dhjetor – Kompania bullgare e telekomunikacionit “Vivakom” do të jetë pronari i ri i “Telecom Albania” (TAL).
Siç citon “Top Channel”, Telekom Albania është në mbyllje të negociatave për shitjen e kompanisë tek aksioneri kryesor i shoqërisë bullgare të telekomunikacioneve Vivakom, Spas Rusev.
Sikurse është raportuar edhe më herët, “Dojçe Telekom” do t’ia shesë degën shqiptare Spas Rusevit, i cili punon në parnteritet me Elvin Gurin, një investitor i mirënjohur shqiptar, i cili ka jetuar në Bullgari 20 vitet e fundit.
Informacionet për hyrjen e “Vivakomit” në TAL për “Top Channel” në mënyrë indirekte i konfirmoi vetë Guri.
“Kam kohë që mendoj të investoj në Shqipëri. Duke qenë se kam 27 vjet që jam larguar, e konsideroj si detyrim moral të gjej mënyra dhe mjete për të investuar në vendin tim. Sot, Shqipëria është një destinacion i qetë dhe tërheqës për investime, sidomos për dikë si unë”, deklaroi Guri.
Aktualisht, Vivacom është kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari që ofron shërbimet më cilësore të kategorisë. Ajo pati një vit të fuqishëm financiar në 2017 sa i takon anës operacionale dhe performancës financiare, me të ardhura prej 455 milionë eurosh dhe fitime prej 165 milionë eurosh.
Vendimi për shitjen e Telekom Albania është marrë si pasojë e fitimit të reduktuar për shkak të tregut të vogël, si dhe probleme të tjera që lidhen me klimën e biznesit.