Sot, informacioni depërton edhe në birr të miushit. Mbrëmë sekush nga ne e pa dhe dëgjoi, frymën dhe fytyrën e vërtetë politike të kësaj klase të paedukuar, të paarsimuar, të degjeneruar, të shfrenuar, … se çfarë halli ka. I madh, e i vogël dëgjoi ushtimat dhe britmat e një lufte barbare për pushtet! Ndërsa, na të vdekshmit e vegjël na ka gjetur hall me ta, dhe hall pa ta.
Nga Shaqir ISLAMI
Sërish vijnë zgjedhjet. Paçka se vijnë! Ky cikël demokratik, më nuk ka vlerë, as erë demokracie, as ka ndonjë shpresë, për një ditë të bardhë për qytetarin hallexhi. Zgjedhjet janë shpresa për diç të re, ndryshe, … një fllad freskie në shoqëri … pakëz ‘shkujë’, sa për të shkaktuar ndryshime të nevojshme për ‘frymën e zymtë’ në shoqërinë tonë të strukur dhe të rrudhur nga hallet dhe telashet. Cikli zgjedhorë është paraparë të sjellë ndryshime. Kjo është njëra ndër rregullat, thelbësore në demokraci. Zgjedhjet janë gara, si garat Olimpike. Ndeshje të drejtë,pa hile, pa kleçka, pa mashtrime dhe rrena. Ja që politika nuk është sport! Dhe se nuk i nënshtrohet fare kontrollit të ‘dopingut’. Te na, jo, se jo. Kush guxon të dyshojë tek liderët ? Te na, duke ngrënë hallvë e bakllava, i nxjerrim thikat … dhe masakrojmë njëri-tjetrin, për qejf-koti. Pastaj arsyetohemi se, s’e kishim ‘për nime’. A sheh dikush, se deri në çfarë derexhe, kemi ecur praptas. Ky është inati ynë; bota ec mbarë, ne praptas!
Turçe thonë: jeni tas, eski hamam. Me sa pamë dhe dëgjuam ‘Live’ mbrëmë në emisionin-hallakamë të 21’shit, tashmë, thikat dhe hanxharët ishin futur në brez. Akti i therjes do bëhet, sipas modelit ‘ngulja e hanxharit pas shpine’, si Asasinët e dikurshëm në Persi. Lufta për një çikë pushtet,do bëhet pa pardon. Shokë, miq të vjetër, familje, farefis, komb, … tashmë çdo gjë ka dalë në Pazar. ‘Aksham pazari’ çdo gjë shitet badihava, vetëm për të kapur një çik pushtet. Zgjedhjet e Prillit, do jenë ‘kasaphane’.
Nëse, ‘dita duket nga mëngjesi’, ky Prill do jetë një fushëbetejë mesjetarçe: ja pushtet, ja vdekje …vetëm nuk dihet se, kush kujt, ka me ja kajtat’nan. Gaz dhe turp karshi botës! Burleskë politike në Ballkan! Në vend se të përparojmë, ashtu siç synon mbarë njerëzimi, na përshkallëzohemi në primitivizëm të egër, të paparë në kontinentin ku jetojmë. Na ana tjetër krenohemi e rrahim gjoks, si Orangutanë, për qëllime të mbarë, bujare dhe fisnike! Komunikimi është vitrina e individit; komunikimi politik është vitrina e një populli. Përmes komunikimit dhe sjelljes, i krijojmë perceptimet tona për njëri- tjetrin; krijojmë, dërgojmë dhe përcjellim kumtesa rrethit dhe mjedisit të afërm dhe të largët. Komunikimi është pasqyra e vetes, familjes, farefisit, mëhallës, katundit, nahisë, … dhe popullit … Komunikimi, jemi, na vet. Maskat si… kollaret Trusardi, petkat Armani, dhe brekët Dolce&Gabana… nuk mund të kumbojnë më shumë se fjala dhe sjellja!
Sot, informacioni depërton edhe në birr të miushit. Mbrëmë sekush nga ne e pa dhe dëgjoi, frymën dhe fytyrën e vërtetë politike të kësaj klase të paedukuar, të paarsimuar, të degjeneruar, të shfrenuar, … se çfarë halli ka. I madh, e i vogël dëgjoi ushtimat dhe britmat e një lufte barbare për pushtet! Ndërsa, na të vdekshmit e vegjël na ka gjetur hall me ta, dhe hall pa ta. Për çka dhe kujt i duhen këta hallexhi namqorra, është konkluzioni i vetëm, nëse ndiqet procesi i thjeshtë dhe i qartë i logjikës politike. Por, ja që nuk del kështu! Fjalori, qëndrimet, emocionet, kërcënimet, etiketimet, paragjykimet, denoncimet, poshtërimet, fyerjet, sulmet adhominem, … shfaqën gatishmërinë mendore dhe emocionale për një lufte, që “akoma s’kemi parë gjë”. Këtë fjali ogurzezë, duhet ta mbani mend. Pra, mjetet nuk kanë fare rëndësi, vetëm se të arrihet tek qëllimi përfundimtarë – e ky njihet si – pushtet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)