Vitin tjetër feston 100 vjetorin, ekipi historik pritet ta rinisë nga amatorët!

Rastet e Bari, Parma, Avellino, Cesena e kështu me rradhë duket se nuk i kanë mësuar asgjë drejtuesve të futbollit italian, të cilët nuk po shpëtojnë topin e tyre nga skandalet, kriza ekonomike, formati i kampionateve dhe sidomos mungesa e kontrollit dhe mbikqyrjes në subjekte që marrin pronësinë e njërit apo tjetrit klub.

Kështu, ditën e djeshme, kur ishte edhe afati i fundit deri në mesnatë, për të pritur regjistrimin për pjesëmarrjen në Serie C për Foggia Calcio (skuadër që vitin tjetër do të festojë 100 vjetorin e themelimit), në Ligën Italiane nuk ka mbërritur asnjë garanci bankare për mbulimin e rrogave për sezonin 2019-2020 në kategorinë e tretë.

Foggia ra nga kategoria sezonin e shkuar, pasi merrte pjesë në Serie B, teksa u fal Palermo, që fillimisht u dënua.

Kryebashkiaku i qytetit kishte bërë thirrje disa herë duke kërkuar ndihmën e biznesmenëve për të mbledhur shumën e nevojshme: 1,3 mln euro! Por, janë mbledhur vetëm 700 mijë euro.

Sipas lajmeve të fundit, Foggia garanton se ka gjetur edhe pjesën tjetër të parave, por kërkon shtyrje nga ana e ligës për regjistrimin, pasi pret garancitë bankare për të kompletuar dokumentacionin, ndërsa tifozët janë pritje. Diçka që askush nuk e beson, për momentin.

Mungesa e regjistrimit do të thotë vetëm një fund: rënia në Serie D, pra te amatorët. Diçka jo e re për Foggian, që edhe përpara disa vitesh e pësoi në të njëtën formë dhe u tha se nuk do të ndodhte më diçka e tillë.