Tetovë, 25 janar – Vitin e kaluar në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit gjithsej janë regjistruar 1096 aksidente trafiku. Sipas statistikave – për dallim nga viti 2016, është shtuar numri i aksidenteve për 27. Nga Policia e Tetovës bëjnë të ditur se në Tetovë gjithsej kanë ndodhur 803 aksidente, ndërsa në Gostivar 293. Rreth 503 aksidente kanë përfunduar me lëndime të rënda, ndërsa në nëntë prej tyre jetën e kanë humbur 10 persona, tetë në Tetovë dhe dy në Gostivar. Në vitin 2016 gjithsej jetën e kanë humbur 25 persona në aksidente trafiku. Gjatë aksidenteve të vitit të kaluar, në dy qytetet e Pollogut lëndime të rënda dhe të lehta kanë marrë 900 persona, në Tetovë 717 persona dhe në Gostivar 183. Sipas policisë, dëmi nga aksidentet e trafikut është përllogaritur 55 milionë e 200 mijë denarë që është përafërsisht me vitin paraprak. Si shkaktarë më të shpeshtë të aksidenteve të vitit 2017 kanë qenë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë, mos respektimi i përparësisë së kalimit, si dhe mos mbajtja e distancës. Nga Sektori për Punë të Brendshme njoftuan se pjesëtarët e policisë vitin e kaluar kanë konstatuar 22 mijë e 778 lloje të ndryshme të kundërvajtjeve, apo 1218 më pak se vitin paraprak. (koha.mk)