Valentino Rossi nuk ka ndërmend të tërhiqet, edhe pse në muajin shkurt do të mbushë 39-vjeç “Doktori” e sheh ende të largët largimin nga Moto GP. “Kam frikë të heq dorë, është diçka që më “kall datën”. Do të jetë e vështirë për mua të bej diçka tjetër, sepse ky sport është vetë jeta Ime. Mund të drejtoj akademinë time, por nuk është e njëjta gjë”, tha Rossi.
Piloti italian, 7 herë kampion botë në Moto GP, e mbylli sezonin me vetëm një fitore me Jamahan, duke u renditur në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm, por objektivat e tij mbeten ende madhorë. “Synimi im i parë është të fitoj titullin, i dyti të fitoj sa më shumë gara dhe i treti të arrij ta kaloj finishin. Gjatë sezonit të kaluar patëm disa gara të vështira si në Jerez, Barcelonë, Spielberg dhe Motegi. Nuk arritëm t’i zgjidhnim disa probleme, sidomos atë të gomës së pasme. Paradoksalisht, duke kërkuar që të zgjidhnim problemet e 2016-ës, krijuam të reja”, deklaroi Rosi.