Në vitin 2020, kompania Apple do të mund ta prezantojë iPhonein më të madh në historinë e vet. Ueb-faqja e Koresë së Jugut – ETNews, e ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se Apple do t’i prezantojë tri modele flamurtare të iPhone vitin e ardhshëm në ngjarjen e cila do të mbahet në vjeshtë. Ky informacion erdhi nga burime të paemëruara, të cilat pretendojnë se na presin ndryshime të mëdha.
Aktualisht Apple e ka iPhone 11 6.1 inçësh, iPhone 11 Pro 5.8 inçësh dhe iPhone 11 Pro Max 6.5 inçësh. Vitin e ardhshëm modeli më i vogël pritet të jetë iPhone 12 5.4 inçësh, ai i mesëm do ta ketë një ekran 6.1 inçësh, ndërsa më i madhi prej tyre do të jetë modeli 6.7 inçësh. Kjo është për një inç më pak se iPad Mini. Të tri modelet do të kenë ekrane OLED, ndërsa vetëm njëri do të ketë çip i cili do ta mundësojë konektimin me rrjetin 5G. Nga ana tjetër, analisti i njohur Ming-Chi Kuo ka pohuar më parë se të gjitha modelet e reja të iPhone do ta mbështesin rrjetin 5G.
Telefonat iPhone të Apple e kanë një trend të rritjes me kalimin e viteve, duke synuar afrimin me konkurrencën e pajisjeve me sistem operativ Android. Megjithatë, gjërat si duket po ndryshojnë, ndërkohë që do të mund ta shohim një iPhone SE edhe më të vogël 4.7 inçësh, i cili do të kushtonte 399 dollarë.