VITI RI SHKOLLOR: A do të ulen nxënësit sërish në bankat e tyre?

127

Zëvendësministrja për Arsim dhe Shkencë, Elizabeta Naumovska, ka thënë se grupi i punës në MASH deri më 5 gusht, do të përfundojë versionin përfundimtar dhe do t’ia dërgoj anëtarëve të Komisionit për sëmundje infektive, që të merret edhe aprovimi nga ky komision. Nëse përgjigja është pozitive, atëherë më 10 gusht shkollat do të kenë strategjinë për fillimin e mësimit më 1 shtator

Zenel MIFTARI

Shkup, 3 gusht – Kanë mbetur më pak se një muaj deri në fillimin e vitit të ri shkollor, por ende nuk është bërë e ditur se si do të zhvillohet procesi mësimor në kushtet e pandemisë së virusit korona. Sipas paralajmërimeve, Ministria e Arsimit më 10 gusht do të publikojë versionin përfundimtar për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në vitin e ri shkollor.

Zëvendësministrja për Arsim, Elizabeta Naumovska, për mediat ka thënë se grupi i punës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) deri më 5 gusht, do të përfundojë versionin përfundimtar dhe do t’ia dërgoj anëtarëve të Komisionit për sëmundje infektive, që të merret edhe aprovimi nga ky komision. “Nëse Komisioni për sëmundje infektive, nuk do të ketë vërejte në protokollin tonë dhe jep përgjigje pozitive, atëherë versioni përfundimtar do të duhet të kalojë në seancën qeveritare që më pastaj duhet ta dërgojmë deri te shkollat fillore dhe të mesme, të cilat duhet t’i përshtaten kushteve të reja”, u shpreh ajo. Sipas saj, qëndrimi i MASH-it është që të organizojnë mësim me prani fizike duke respektuar të gjitha masat. Naumovska ka thënë se mësimdhënia me praninë fizike është e rëndësishme për nxënësit e shkollave fillore, sepse shoqërimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e tyre psikofizik. Sipas njoftimeve jozyrtare, në qytetet e mëdha si Shkupi dhe në ato zona ku ka klasa me më shumë se 20 nxënës, përveç se do të shkurtohet ora mësimore për 20 minuta, do të ketë edhe mësim të kombinuar. Një javë gjysma e nxënëseve do të mësojnë me prani fizike dhe të tjerët përmes platformës online dhe javën tjetër do të jetë e kundërta. Ndërsa në zonat rurale, ku kemi më pak se 10 nxënës në një klasë, nuk do të zbatohet procesi arsimor i kombinuar, por vetëm do të shkurtohen orët mësimore për 20 minuta.

Ndërkohë, UNICEF dhe USAID, së fundmi kanë publikuar studimin “Efektet sociale dhe ekonomike të virusit korona te fëmijët në Maqedoninë e Veriut”. Sipas studimit, mbyllja e shkollave për fëmijët ka rrezikuar shëndetin e tyre. Sipas këshilltares Maja Parnarxhieva Zmejkova, hulumtimi ka treguar se mungesa e aktiviteteve sportive dhe pasiviteti i fëmijëve ka ndikuar në shëndetin e tyre fizik me çka tani disa fëmijë janë mbipeshë. “Gjithashtu është vërejtur që me mos shkuarjen në shkollë dhe mungesën e komunikimit, fëmijët humbasin ndjenjën e kontaktit, frika rritet, depresioni rritet, e gjithë kjo u rrit me ankthin e prindërve nga pasiguria e situatës dhe si pasoj kemi pengesë në zhvillimin social të tyre”, shtoi ajo. Nga ana tjetër, sociologu Naser Rushani për gazetën KOHA ka thënë se disa grupmosha do ta kenë më rëndë te ballafaqohen me çdo formë tjetër mësimore nga ajo klasike, për arsye se sistemi arsimor në shoqërinë tonë nuk ka ndjekur modelet e avancuara që sot do të ndihmonin në tejkalimin e problemeve esenciale. “Në vendin tonë, sistemi arsimor është i vjetruar, mësuesit nuk kane njohuri të mjaftueshme për mësim online si dhe te nxënësit ka mungesa të pajisjeve elektronike. Kjo e pengon seriozisht zhvillimin e procesit mësimor të nxënëseve madje edhe në kushte normale”, shprehet ai. Sipas tij, të gjithë ata nxënësit të cilët nuk do të ndjekin ndryshimet teknologjike kanë mundësi të madhe që të ngecin dhe të zhvillohen. Ai ka shtuar se sipas raporteve ndërkombëtare, në kushtet normale sistemi arsimor në RMV ka dështuar dhe nuk është efektiv, e tani mund ta paramendoni si do të jetë në kushte të eksperimentit. “Ata që më keq e përjetojnë janë fëmijët, të cilët emocionalisht do të lodhen dhe nuk do të kenë mundësi që të socializohen me shkollën dhe shokët në mënyrë të duhur”, ka shtuar për fund Rushani.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, më 10 mars mori vendim për mbylljen e shkollave për shkak të rritjeve të rasteve me virusin korona. Fillimisht vendimi u mor që shkollat të mbyllen vetëm për 14 ditë me çka më pastaj vendimi u mor që të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të vitit shkollor. Më pastaj, Ministria e Arsimit për fëmijët deri në klasën e pestë e filloi projektin TV KLASA dhe propozoi që shkollat fillore dhe të mesme të organizojnë procesin mësimor në platforma të ndryshme online. (koha.mk)

Comments are closed.