Bashkimi i Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë që grumbullon rreth këtij subjekti të gjithë krijuesit e trojeve shqiptare sot në kuadër të aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen gjatë këtij vitit jubilar të Skënderbeut do të bëjë hapjen e këtij viti dhe të fillojë me një orë letrare më vargjet e krijuesve të të gjitha viseve shqiptare.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë, Reshat Sahitaj tha se në këtë orë letrare do të jenë pjesëmarrës të shumtë nga viset shqiptare.
“Në këtë orë letrare ku përveç krijuesve do të marrin pjesë personalitete politike vendore të rëndësishme. Këtë orë letrare do ta freskojnë edhe këngëtarët e muzikës klasike si dhe Shkurte Fejza me një këngë dedikuar heroit tonë kombëtar me përmasa evropiane-Skënderbeut”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai bëri me dije se ka pasur interesim shumë të madh për të qenë pjesëmarrës në këtë orë letrare.
“Mbi 200 të interesuar kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë orë letrare. Motivi për këtë orë letrare është Skënderbeu”, tha ai.
Sahitaj është shprehur i kënaqur me përkrahjen që i ka dhënë qeveria për këtë organizim të kësaj ore letrare. “Pjesëmarrës do të jenë nga Tirana, Shkupi, Ulqini etj”, tha ai. Ora letrare e cila është quajtur “Ora e Gjergjit”, do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe do të fillojë në ora 16:00.