Shqipëria në pikën 0: pa u mbyllur ende viti 2018, është koha për analizën e asaj që ka arritur dhe ka ndërtuar kombëtarja kuqezi në çdo nivel, nga U-17 deri tek ekipi A. Bilanci të vret sytë, sepse jemi në momentin më të keq të shekullit të 21-të dhe i kishim harruar me kohë rezultate të tilla.
Ekipi A, i drejtuar nga Cristian Panucci, është në një situatë dramatike, sepse ka fituar vetëm një ndeshje ndaj Izraelit në shtator dhe ai është suksesi i vetëm kuqezi këtë vit.
Një fitore pa shumë vlerë, duke parë se u pasua nga dy humbje të pastra në Skoci e Izrael, duke bërë që tashmë jo vetëm që të mos kemi më shanse reale për fitimin e grupit, por gjithashtu të rrezikojmë jo pak zbritjen në Ligën D, ndaj muajin e ardhshëm kundër Skocisë humbja do ishte katastrofike, në imazh e në financa.
Një herë e një kohë i “gllabëronim” miqësoret për të grumbulluar pikë për renditjen e FIFA-s, por tani edhe miqësoret i luajmë kot dhe nuk na vlejnë fare, mjafton të kujtohet që Norvegjia, Kosova e Ukraina na mundën pa u lodhur në pjesën e parë të vitit, ndërsa miqësorja kundër Jordanisë prodhoi një tjetër rezultat dëshpërues ndaj një rivali modest.
Një fitore në 7 ndeshje, bilanc tragjik për një kombëtare që para dy vitesh merrte pjesë në Europian dhe largohej me kokën lart. Nga trajneri te skuadra, niveli i cilësisë ka rënë ndjeshëm dhe më e keqja është se nuk po duket ndonjë gjë shpresëdhënëse në horizont, edhe pse tek-tuk ndonjë talent del, mjafton të shohim çfarë po bën Myrto Uzuni.
Po më poshtë? Nga U-21 deri tek U-17 tabloja është dramatike dhe mungojnë të gjitha, nga rezultatet deri tek loja, pa harruar probleme të tjera therëse.
Shpresat këtë vit kanë luajtur 5 ndeshje zyrtare dhe kemi regjistruar 4 humbje e një barazim, me 13 gola të pësuar. Një ekip pa mbrojtje dhe i çoroditur nga ndryshimet e shumta, sepse thuajse në çdo ndeshje kanë munguar titullarë të rëndësishëm, që në mënyrë absurde kanë bërë një ecejake pa vlerë, duke shkuar te kombëtarja sa për stërvitje dhe duke lënë një gropë të madhe në formacionin e Shpresave, aq sa Alban Bushi shpesh ka grumbulluar lojtarë të tjerë në ditët pas shpalljes së listës dhe e bënte dhe ribënte formacionin nga e para, çdo ditë.
Koordinimi me Panucci-n duket në nivelin zero, ashtu si vlerësimi ndaj Shpresave, sepse është e qartë që nëse Shqipëria A nuk hedh në fushë asnjë nga të rinjtë, qartësisht është më mirë që ata të luajnë titullarë me të rinjtë, për të mos prishur grupin dhe për të marrë ndonjë rezultat, qoftë edhe për moral.
Tek U-19 gjërat shkojnë edhe më keq, sepse këtë vit skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani luajti tre ndeshje kualifikuese dhe u mund në të tre sfidat, pa shënuar asnjë gol. Luanim në Shqipëri, ashtu si vitin e shkuar, kur sërish pësuam tre humbje, një prej tyre 7-1 dhe goli i shënuar në këtë humbje është i vetmi në dy vitet e fundit.
Dramatik bilanci i rezultateve, dramatik edhe bilanci i Bogdanit në lidhje me lojtarët që ka çuar tek U-21, pasi fundja ai është synimi madhor i tij. Nga gjithë lojtarët që Bogdani ka përdorur në dy vitet e fundit tek U-19, askush nuk është bashkuar me 21-vjeçarët, as mbrojtësi Kleto Gjura, që po luan titullar tek Alessandria në Serinë C, jo më të tjerët, shumica ende pa debutuar në futbollin profesionist.
Nga U-19 e vitit 2016 kanë kaluar tek Shpresat dhe kanë luajtur rregullisht vetëm Gentian Selmani, Leonardo Maloku, Agim Zeka e Sherif Kallaku, 4 lojtarë për 3 vite, ndërsa të tjerët janë zhdukur dhe Shqipëria U-21 mbahet me lojtarë që nuk kanë ardhur nga puna e bërë në ekipet zinxhir të kombëtares, por thjesht afron talente që spikatin nëpër Europë, kur ata kanë dëshirë të veshin fanellën kuqezi, rasti më i fundit Vrioni.
Në fund, kombëtarja U-17: në dy edicionet e fundit kualifikues për Kampionatin Europian kemi marrë 5 humbje në 6 ndeshje, duke mundur vetëm Lihtenshtejnin e vogël. Këtë vit historia nuk ndryshon: debutimi këtë javë ishte dramatik, me një humbje 6-0 kundër Republikës Çeke.
Kemi përpara edhe ndeshjet kundër Norvegjisë e Azerbajxhanit, por shanset për fitore duken të vogla, duke parë ndeshjen e parë. Thonë që grumbullojmë talente, por diçka nuk shkon: ose lojtarët e grumbulluar nuk janë vërtet cilësorë, ose puna e bërë me ta është në nivel të ulët, sepse nëse para pak vitesh kaluam dy herë rresht turin e parë, tani lutemi të shmangim humbjet me goleada.
Sa për kujtesë, para pak ditësh Gjibraltari i vogël fitoi 2 ndeshje rresht në Nations League, ndërsa Luksemburgu mund të na zërë vendin në Ligën C, nëse biem. Kambanat po bien fort, Shqipëria është në rënie të lirë dhe po kthehemi në epokën e “gurit”, kur rrihnim gjoksin për humbje dinjitoze dhe me lojë të mirë.
Madje, edhe Kombëtarja e Femrave na e ka kaluar, duke arritur 1 fitore dhe një barazim.