Orari i mësimit i është dhënë nxënësve me disa ditë vonesë, ndërsa librat e rinj – provizorë, ende nuk janë shpërndarë në të gjitha shkollat. Në mungesë të tyre, mësuesit improvizojnë me tekste të vitit të kaluar. Të mërkurën, në disa shkolla fillore janë shpërndarë materialet sipas Programit të ri, disa nxënës i kanë marrë ato veçmas, të tjerë katër libra në një tekst të vetëm
Evis HALILI
Shkup, 10 shtator – Pa orar, pa libra, madje edhe pa dëftesa të vitit të kaluar. Kështu ka nisur viti i ri shkollor dhe ka vazhduar me mangësi edhe pas javës së parë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka arritur të vërë në dispozicion materialet e reja, edhe pse më 1 shtator, kreu i MASH-it, Jeton Shaqiri, shprehej se “po fillojmë me programet mësimore të reja për klasën e parë, dytë, katërt dhe të pestë, si dhe tekstet e reja shkollore që tashmë janë dorëzuar në të gjitha shkollat”. Por në fakt, librat ende nuk janë shpërndarë. Një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor, mësimi në pjesën më të madhe të shkollave zhvillohet jo vetëm pa libra, por edhe pa orar. Të mërkurën, në disa shkolla fillore janë shpërndarë librat sipas Programit të ri, disa nxënës i kanë marrë librat veçmas, të tjerë katër libra në një tekst të vetëm.
Për shembull, një nxënës i klasës së katërt – në një lidhje të përbashkët ka marrë “Materiale mësimore” (Gjuhë-matematikë-shkencat natyrore-histori dhe shoqëri), ndërsa në shkolla të tjera, librat ende nuk dihen se kur do të merren. Orari i mësimit i është dhënë nxënësve me disa ditë vonesë, ndërsa librat e rinj ende nuk janë shpërndarë në të gjitha shkollat. Në mungesë të tyre, mësuesit improvizojnë me tekste të vitit të kaluar.
“Nuk ka libra të rinj. Punojmë sipas Programit të vitit të kaluar në lëndët si Gjuhë Shqipe, ndërsa në Matematikë po bëjmë përsëritje. Nuk kemi ndonjë informacion se kur do të vijmë librat e rinj dhe për momentin nxënësit punojnë duke marrë shënime”, thotë një mësuese e ciklit të ulët në Shkup. Nga MASH-i kanë deklaruar se janë shumë më të përgatitur se vitet e kaluara, sepse në ditën e parë të shkollës, të gjithë nxënësit do të kenë materiale mësimore për të parën, të dytën, të katërtin dhe të pestën dhe tekstet për pjesën tjetër të klasave fillore dhe të mesme.
Për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta janë përgatitur plan-programe të reja për lëndët, sipas Konceptit për Arsimin Bazë, i cili është zbatuar me faza që nga viti i kaluar dhe sipas planit, duhet të përfundojë në pesë vjet në të gjithë arsimin nëntëvjeçar. MASH deklaronte se tekstet sipas plan-programeve të reja janë në faza të ndryshme të miratimit dhe deri në marrjen e tyre nxënësit e këtyre klasave do të mësojnë nga materialet përkatëse në të cilat janë shtjelluar përmbajtjet e tremujorit të parë. Viti i ri shkollor nisi për 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni, ashtu si edhe vitet e kaluar me mungesa të theksuara në libra dhe materiale mësimore. Por edhe pajisja e nxënësve me libra të trashëguar nga nxënësit e vitit paraardhës vazhdon të mbetet një praktikë e dështuar, pasi pjesa më e madhe e librave janë të dëmtuar rëndë dhe faqe që mungojnë. (koha.mk)