Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 shtator – Viti i ri shkollor nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh sa i përket pajisjes së shkollave me libra, shkruan gazeta KOHA. Me përjashtim të Shoqërisë për klasat IV dhe Arsimit Qytetar për klasat VI, të cilat janë hequr nga përdorimi, në të gjitha lëndët tjera nxënësit do të kenë po ata libra me të cilat janë shërbyer deri tani. Madje, do të jenë në përdorim edhe librat e Kembrixhit, megjithëse Qeveria e tanishme është deklaruar hapur kundër këtyre librave. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, shpjegojnë se “vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit me Qendrën për Përpilimin e Programeve dhe Teksteve Shkollore pranë Universitetit të Kembrixhit, është i vlefshëm vetëm për tekstet shkollore të arsimit të mesëm. Do të thotë nuk do të ketë botime të reja të librave nga Kembrixhi për shkollat e mesme, sikurse ishte planifikuar nga Qeveria e kaluar”. Pra, në arsimin fillor, tani për tani mbeten në përdorim matematika dhe librat tjerë të shkencave natyrore, të cilat janë përgatitur disa vite përpara, sqarojnë në MASH, duke lënë të hapur mundësinë që viteve të ardhshme të merren në shqyrtim jo vetëm librat e Kembrixhit, por të gjitha librat në përgjithësi.
Naziktere Sulejmani, këshilltare në MASH, tregon për KOHA se për momentin nuk ka asnjë komision për shqyrtimin eventual të ndonjë teksti shkollor. “Nga muaji shtator, totalit të librave që përdoreshin vitin e kaluar, do t’i mungojnë vetëm dy libra, konkretisht librat e Shoqërisë dhe Arsimit Qytetar. Për gjithë lëndët tjera mbesin në përdorim të njëjtat libra”, shprehet ajo.
As për librat e kontestueshëm të Historisë, Gjeografisë, Muzikës dhe Artit nuk do të ketë vendim për tërheqjen eventuale të ndonjërit prej tyre nga viti shkollor 2017/2018. Që të ndodh kjo, pra që ministria Renata Deskovska të nënshkruajë vendimet përkatëse, duhet që paraprakisht të vjen propozimi i profesionistëve dhe ekspertëve të fushës. Pra, duhet që ministria të formojë komision profesional për vlerësimin e atyre teksteve, gjë e cila nuk ka ndodhur ende.
“Nuk ka për momentin asnjë komision që punon në vlerësimin e ndonjë teksti shkollor”, pohon këshilltarja Sulejmani. Arsyet kërkohen rëndomë në mungesën e iniciativave nga institucione dhe individë që do të kontestojnë një libër të caktuar. Por, iniciativat mund të jenë edhe të brendshme, nëse, për shembull, bëhen nga zëvendësministri Visar Ganiu, udhëheqës të sektorëve, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Entit Pedagogjik dhe kështu me radhë. Mirëpo, sikurse konfirmohet edhe zyrtarisht, ende nuk është hedhur hapi i parë në këtë drejtim.
Shtatori është shumë pranë dhe koha nuk premton për asnjë ndryshim. Në MASH do të ishin shumë të kënaqur nëse këtë javë përmbyllin procesin e furnizimit të shkollave me kompletet e nevojshme të teksteve shkollore për të gjithë nxënësit. Por, duket se edhe në këtë pikë do të ketë vonesa, pasi ka shkolla ku kompletet e para ju dërguan këto dy ditë.
“Disa libra na i dërgua të hënën, disa të martën. Presim që ditëve në vijim të na sjellin edhe libra të tjerë. Nuk jam shumë e sigurt se do të ketë kohë të mjaftueshme deri në kompletimin e të gjitha librave deri para fillimit të vitit shkollor”, thotë Luljeta Qerimi, drejtoresha e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” në Shkup. Sivjet, viti shkollor nuk do të nis më 1 shtator, ditë e premte, por sikurse është bërë e ditur nga MASH viti shkollor 2017/2018 do të fillon më 4 shtator. Tre ditët në dispozicion edhe mund të ndihmojnë në zbutjen e situatës, por jo edhe të rezultojnë me kompletimin e të gjitha shkollave me libra.
“Mbase mund të shkojë edhe java e parë e fillimit të vitit të ri shkollor derisa të përmbyllet kompletimi i të gjitha shkollave me kompletet e librave, në bazë të kërkesave që kanë bërë shkollat për të gjitha kategoritë e teksteve shkollore”, shprehet Sulejmani, këshilltarja e MASH-it. Është një numër i madh i librave, që për shkak të përdorimit të gjatë, duhej të ribotoheshin nga e para, plotëson më tej ajo. Ndërkaq, komplet e librave nga klasa e parë deri klasën e tretë, siç dihet ribotohen tërësisht pavarësisht cilësisë së mirëmbajtjes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.