Një vit ka kaluar që kur Brahim Diaz e veshi fanellën e Real Madridit për herë të parë në një ndeshje me karakter garues.
Ai luajti në përballjen kundër Leganes në Kupën e Mbretit, vetëm dy ditë pasi u prezantua si lojtar i Real Madridit, pasi arriti në Spanjë si pjesë e politikës së re të klubit për të transferuar lojtarë të rinj e të talentuar për çmime të arsyeshme, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Pasi iu bashkua madrilenëve për 12 milionë euro, Brahim tha se atij iu ishte bërë një ëndërr realitet me transferimin te Los Blancos, përkundër që ishin publikuar shumë video ku ai e tregonte dashurinë e tij për Barcelonën dhe Lionel Messin.
Por, kjo s’kishte rëndësi. Brahimi ishte transferuar në Madrid dhe ai ishte i bindur se ai do të luante këtu për më shumë minuta, gjë që s’i ishte ofruar në Manchester City.
Fillimisht ndodhi ashtu. Trajneri i atëhershëm i Real Madridit, Santiago Solari, ishte tifoz i tij dhe e inkuadroi në lojë në tri ndeshjet e tij të para.
Në ato tre ndeshje, Brahimi la përshtypje të mirë. Por, pastaj u zhduk papritmas dhe nuk luajti deri më 21 mars, nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane.
Situata për Brahimin ndryshoi plotësisht nën drejtimin e Zidane. Ai luajti rol në tetë ndeshje në fund të sezonit të kaluar dhe madje edhe arriti të shënojë në ndeshjen në Anoeta. Dukej se ai i pëlqente Zidanit, mirëpo pastaj s’arriti t’i mbijetojë konkurrencës.
Brahimi është tani lojtari i 25-të në skuadrën e Real Madridit dhe vetëm Mariano Diaz ka luajtur më pak sesa 41 minutat e tij këtë sezon.
Ky afat kalimtar i janarit duket vendimtar për të riun. Getafe dëshiron ta huazojë atë dhe ata kanë arritur marrëveshje për një transferim me Real Madridin. Tani vetëm edhe Brahimi duhet ta japë dritën e gjelbër, por ai është duke e menduar qëndrimin në Santiago Bernabeu, përkundër mungesës së minutave të lojës. Për momentin, ai nuk po shqetësohet që ka luajtur vetëm 435 minuta për një vit.