Evis HALILI
Shkup, 31 tetor – Rreth tre dekada kanë qenë të mjaftueshme që libri, bibliotekat dhe libraritë të reduktohen në shifra të frikshme, shkruan gazeta KOHA. Nëse në vitin 1986 në Maqedoni numëroheshin 138 biblioteka popullore, me mbi 2 milionë e gjysmë ekzemplarë, sot numri i tyre ka arritur vetëm në 51 biblioteka në të gjithë vendin, me një fond bibliotekar që nuk arrin as deri në dy milionë ekzemplarë. Edhe pse të dhënat zyrtare flasin vetëm për një kategori, bibliotekat dhe nuk ka evidenca për libraritë, për pjesën shqiptare shifrat dëshpëruese. Në qytete të tilla, si Tetova numërohen pak më shumë librari, rreth katër të tilla, ndërsa në Shkup gjithsej dy, Rilindja dhe Vatra, ndërsa një prej librarive që u hap vitet e fundit funksionoi për një periudhë të shkurtër. Të dhënat statistikore tregojnë po ashtu se krahas bibliotekave publike funksionojnë edhe ato të të tjera të profilizuara, 81 gjithsej ku mund të kenë akses të gjithë, një nacionale, 13 për shkollat e larta, 10 të specializuara dhe gjashtë biblioteka – institucione nacionale. Ndërsa pjesa tjetër ose janë për një rreth më të kufizuar shfrytëzuesish ose vetëm për të punësuarit në to, me gjithsej 104 salla leximi. Në analizën e Entit Shtetëror të Statistikave jepen të dhëna interesante edhe sa i takon numrit të anëtarëve në to. Numri më i madh i anëtarësimeve është në bibliotekat për arsimin e lartë, pas tyre vijnë bibliotekat publike dhe shumë pak ne bibliotekat që janë institucione nacionale, dhe shumë pak në atë nacionale. Fondi bibliotekar, që ndahet në libra dhe broshura, gazeta, revista dhe dorëshkrime është më i madh në bibliotekën nacionale. Më shumë libra, (ekzemplarë) ka edhe në ato publike, ish populloret, por ky fond është shumë më i vogël sesa vite më parë. Në vitin 10985 tirazhi i librave dhe broshurave të botuara është më i madh, mbi katër milionë, ndërsa vitet e fundit tirazhi arrin në 542 mijë. Sa i takon bibliotekave publike dhe ato që janë si institucione nacionale kushtet që ndodhet një pjesë e mirë e tyre, sidomos ato në pjesën shqiptare janë të këqija. Jo vetëm sa i takon sallave të leximit dhe ambienteve të tjera, por në shumicën prej tyre fondi bibliotekar është jashtëzakonisht i kufizuar, që përbëhet më shumë nga librat e para viteve 90-të. Një pjesë e bibliotekave (34) janë në kompetenca të Ministrisë së Kulturës, ndërsa një grup tjetër varen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas një raporti më të fundit të Ministrisë së Kulturës situata e tanishme argumentohet me faktin se veprimtaria bibliotekare ka qenë një prej sektorëve që është investuar më së pakti.
“Aktiviteti për mbrojtjen e fondeve, kërkesat për ekzemplarin e detyrueshëm janë neglizhuar dhe subjekti i autorizuar, Biblioteka universitare nuk ka arritur që ta kryejë këtë funksion… pjesa më e madhe e bibliotekave janë të vendosura në objekte jofunksionale, që nuk janë ndërtuar sipas standardeve për ndërtimin e bibliotekave, duke përfshirë këtu edhe objektin më të ri, Bibliotekën nacionale”, thuhet në raport, përcjell KOHA. Pritet që Ministria e Kulturës të çelë biblioteka të reja në qytete si Tetovë (bëhet fjalë për projektin Biblioteka Teatri që ka nisur prej disa vitesh), Ohër…, ndërsa pranë qendrave të kulturës të ngrihen biblioteka publike, si në Gostivar, Strugë, Kërçovë e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.