Nga Bajram SELMANI
Në Maqedoni shumë trazira kanë shpërthyer, pas rrënimit të socializmit e pas shpalljes së pavarësisë. Si ato të partive të ndryshme politike, duke kërkuar të drejta për “popullin e tyre”, jo më pak edhe ato të “punëtorëve”, për të mbrojtur vendet e punës e për të siguruar të drejtën e ekzistencës. Shpërtheu edhe konflikti mbi baza etnike, në të cilin nuk pati fitues e as humbës, përkatësisht secili feston për fitoren e vet. Dhe, çdoherë vendin qeverisin së bashku, pothuajse të njëjtit.
Derisa në Evropë qytetarët e saj paguajnë nivelin e shpenzimeve ndaj shteti pothuaj se me çmimin sikur ne (nëse jo edhe më pak!) fjala vjen: rrymën elektrike, ujin, shërbimet e telekomunikacionit, mbeturinat (shërbimet komunale!), si dhe mallrat me akcizë: shpenzimin e karburanti, cigareve, pijeve alkoolike etj. Ne, në anë tjetër, me të ardhurat që i krijojmë – qoftë edhe paga mesatare në nivel të shtetit, mezi i mbulojmë vetëm “shpenzimet komunale”! Në formë page, ne, marrim dhjetëfishin më të ulët të pagës evropiane, përkundër kontributeve e shpenzimeve komunale, në nivelin e tyre…!
Pjesa më e madhe e qytetarëve jetojnë me pagën minimale, disa të tjerë me ndihma sociale (mizorie!), e disa të tjerë edhe hiç: krejt këto me të ardhura të pakta, e për çdo ditë duke u zhytur në borxhe. Një shtresë e qytetarëve të quajtur oligark, tajkun, agallar jeton me bollëk; më mirë i shfrytëzuan ligjet e ekonomisë së tregut, por, edhe zbrazëtitë e tij, aq sa askush nuk pyeti për origjinën e pasurisë-parave, e lartësinë e tatimeve. Krijohet përshtypja se koha e pasurimit është dhjetëfishi më i ulët i mesatares evropiane.
Ata që ishin të papunë, por të aftë për punë, me përgatitje të ndryshme profesionale, pa pasur mundësi të realizohet si profesionist në lëmin përkatëse, e me guximin për sakrificë i mësyn dyert e Evropës, për të siguruar ekzistencën e për të ruajtur një thermi dinjiteti njerëzor kur të kthehen në vendlindje. Ndërsa ne që kemi mbetur këtu, me shpresë se do të përmirësojmë cilësinë e jetës sonë njerëzore, po e vuajmë dinjitetin e nëpërkëmbur, për sa kohë kemi shpresuar se me krijimin e elitave tona kulturore, politike e intelektuale edhe ne do të ngjasojmë në një shtet evropian dhe se do të na kthehet dinjiteti njerëzor.
Shtresimi i shoqërisë nëpër klasa të ndryshme sociale, të pasura e të varfra – klasa e mesme është në zhdukje e sipër, imponon edhe mënyrën e të menduar në mënyrë përkatëse me shtresën që i takon. Klasa politike, deri tani pak a shumë ruan heterogjenitetin shtresor të shoqërisë, por nga mënyra e të menduarit ngjason me të pasurën. Pushteti i tretë, sipas definicionit, duhej ta përbënte shtresën e mesme, por kriza politike atë e ka zvetënuar dhe rrezikon ta reduktojë në të varfrën. Rrjedhimisht, kemi mënyrë të të menduarit të shtresave të pasura dhe “shumicës” së varfër. Opinioni publik rezulton të jetë gërshetim i këtyre mënyrave të, të menduarit, dhe për sa kohë shpreh të vërtetën e njëmend/rrejshme strukturat politike do të mund të llogaritin në humbje ose fitore, e zgjedhësit të mashtrohen ose fitojnë: mirëqenien e premtuar, nëse jo tjetër më dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet…