Niveli më i lartë i vitaminës D në gjak, mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit, sipas një studimi të ri. Studiuesit japonezë kanë zbuluar se nivelet e larta të “vitaminës së diellit” reduktojnë rrezikun e kancerit të mëlçisë me 50 %.
Rreziku i përgjithshëm i kancerit ishte 20 % më i ulët dhe rezultatet ishin më të dukshme tek meshkujt. Studiuesit morën të dhëna nga 33.736 njerëz nga të dyja gjinitë dhe duke filluar nga mosha 40-69 vjeç. Pjesëmarrësit dhanë informacione mbi shëndetin e tyre, dietën dhe mënyrën e jetesës. Ata gjithashtu dhanë një mostër gjaku, e cila u përdor për të përcaktuar nivelet e vitaminës D. Ata u monitoruan më pas për një periudhë mesatare prej 16 vjetësh për kancerin, nga të cilat 3.301 raste ndodhën gjatë periudhës së studimit.
Ekipi i shkencëtarëve analizoi gjakun duke llogaritur faktorët e tjerë që ndikojnë te kanceri, si mosha, pesha, nivelet e aktivitetit fizik, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit etj. U vu re që rreziku i kancerit ishte i reduktuar ndjeshëm dhe ky rezultat ishte më i dukshëm tek meshkujt. Këto rezultate forcojnë raportet e studimeve të tjera të ndërmarra në Evropë dhe Amerikë.