VIT I VËSHTIRË EKONOMIK! Inflacioni prej 8.8%, rritje ekonomike prej 2.8%

Ekspertët ekonomik thonë se shteti duhet të bëjë mjaft kujdes me presionin për rritjen e pagave për shkak të kapacitetit të ngushtë fiskal dhe rritjes së madhe të borxhit publik. Sugjerohet që të racionalizohen maksimalisht shpenzimet jo produktive

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 19 maj- Inflacioni në Maqedoninë e Veriut pritet të rritet së paku në 8.8 për qind këtë vit dhe të ngadalësohet deri në fund të vitit, ndërsa do të kemi rritje ekonomike prej 2.8 në vend se 3.8 për qind. Mirëpo në rast se përkeqësohen rreziqet globale deri në fund të vitit, inflacioni mund të arrijë deri në 9.8 për qind me një rritje më të madhe të shtrenjtimeve, tregojnë analizat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Një herësh inflacioni pritet të ulet në 3 për qind në vitin e ardhshëm për tu stabilizuar në 2 për qind në vitin 2024.

Advertisements

Nga atje shtojnë se janë përkeqësuar parashikimet në raport me rritjen e inflacionit si rrjedhojë e niveleve më të larta të realizuara dhe të pritshme të çmimeve botërore të prodhimeve primare si ushqimet dhe energjia, çrregullimit të zinxhirëve global të furnizimit dhe transmetimit të kostos në rritje të prodhimit ndaj çmimeve përfundimtare të prodhimeve dhe shërbimeve. “Vlerësimet e fundit për rritjen e ekonomisë janë më të pavolitshme nën ndikimin e luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike. Vlerësimet përcillen edhe me një paqartësi të madhe. Burim kryesor i rrezikut është eskalimi i mëtejshëm i konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, vendosja e sanksioneve të reja dhe më të rrepta dhe eventualisht në mënyrë shtesë edhe përkeqësimi i marrëdhënieve ekonomike midis Perëndimit dhe Rusisë”, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhovska. Sipas saj, një ambient i pavolitshëm ekonomik global për ekonominë vendore nënkupton rritje më të madhe të çmimeve dhe sidomos të prodhimeve primare ku tek nafta dhe ushqimet sivjet pritet shtrenjtim më i madh dhe vitin e ardhshëm rënie e madhe, ku sivjet pritet rritje prej 49 për qind e çmimeve të naftës dhe rënie prej 14 për qind në vitin e ardhshëm.

Rreziqe shtesë për rritjen ekonomike është edhe shtrëngimi eventual më i fuqishëm i politikës monetare në shtetet më të zhvilluara si përgjigje ndaj presioneve të inflacionit dhe pritjeve inflacioniste.

Në të njëjtën kohë pritet edhe ngadalësimi i ekonomisë globale pas rikuperimit të fuqishëm prej 6.1 për qind në 3.6 për qind sivjet, si rrjedhojë e përkeqësimit të mëtejshëm të luftës në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë në sektorin energjetik, ngadalësimit të ekonomisë kineze, zgjerimit sërish të pandemisë, pritjeve më të mëdha inflacioniste afatmesme, që do të kenë ndikim negativ edhe në ekonominë vendore. Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik thonë se shteti duhet të bëjë mjaft kujdes me rritjen e pagave që shpesh nuk bazohen edhe në rritjen e produktivitetit, ndërsa mbi 1 miliard euro në vit shkojnë për pagesën e pensioneve. “Shteti duhet bërë kujdes me rritjen e pagave për shkak të kapacitetit të ngushtë fiskal dhe rritjes së madhe të borxhit publik. Në radhë të parë duhet të synohen shtresat e rrezikuara sociale me masa të targetuara. Njëherësh nevojitet që të racionalizohen maksimalisht shpenzimet jo produktive, apo të zvogëlohen shpenzimet jo të domosdoshme në aspektin e administratës , apo të reduktohen projektet e ndryshme jo rentabile etj“, thotë për gazetën KOHA , profesori universitar Nasir Selimi. Ai më tej shton se në parim rritja e pagave që nuk bazohet në rritjen e produktivitetit apo që nuk shton sasitë e prodhuara të mallrave dhe prodhimeve me kosto me të ulët për një kohë caktuar, që nuk bazohet në gjetjen e tregjeve të reja e kështu me radhë, jo vetëm se do të rrisë edhe më tej inflacionin, por do të bëjë një trysni të madhe edhe ndaj arkës së shtetit, andaj edhe duhet bërë kujdes me presionin për rritjen e pagave duke pasur parasysh se Qeveria duhet të vazhdojë edhe më tej me masat anti krizë ku shuma e deritanishme prej 615 milionë euro është e pamjaftueshme.

Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të ushqimeve në muajin mars shënoi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për shkak të luftës, pasojat e të cilës prekën kryesisht tregjet kryesore të drithërave dhe vajrave vegjetale. Lajmi është konfirmuar nga Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s ishte mesatarisht 159.3 në mars.

Një rritje prej 12.6 për qind nga shkurti, niveli më i lartë që nga viti 1990. Gjithashtu indeksi i çmimeve të drithërave për muajin mars tejkaloi atë të shkurtit me 17.1 për qind, i nxitur nga rritja e çmimit të grurit dhe drithërave. Ndërprerja në flukset e eksporteve dhe sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë ka nxitur frikën e një krize globale, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Në ndërkohë, një pjesë e autoriteteve më të mëdha të shkencave ekonomike në botë, nobelisti Pol Krugman thotë se inflacioni do të zvogëlohet që në vitin e ardhshëm duke mos e sakrifikuar ekonominë siç ishte rasti në vitin 1980. “Shumë nga inflacioni i kohëve të fundit do të bjerë kur çmimet e naftës dhe ushqimeve të ndalojnë së rrituri, kur çmimet e makinave të përdorura të cilat u rritën 41 për qind gjatë vitit të kaluar gjatë mungesës së makinave të reja, të ulen, e kështu me radhë. Kështu që mesazhi im për ata që nxisin paralajmërimet e tmerrshme për rikthimin e stagflacionit apo të një periudhë në të cilën stanjacioni i ekonomisë bashkëjeton me inflacionin e lartë të tipit të viteve ’70 – të cilin disa prej tyre kanë kërkuar ta bëjnë prej vitesh – është se ata duhet ta shikojnë historinë e tyre më me kujdes. Inflacioni i viteve 2021-22 duket shumë i ndryshëm dhe shumë më i lehtë për t’u zgjidhur, nga inflacioni i viteve 1979-80”, shprehet Krugman. (koha.mk)