Vit i brishtë

102

Një detyrë shumë të rëndësishme qeveria do ketë edhe me parandalimin ose zbutjen e migrimit të të rinjve dhe të arsimuarve, kategori kjo e cila po e braktis vendin, jo vetëm për standard më të lartë, por edhe për bukën e gojës

Nga Delvina KËRLUKU

Vitet paraprake, erdhën me sihariqe për popullin shqiptar dhe në përgjithësi për Maqedoninë e Veriut. Për shqiptarët, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, jo vetëm që ka qenë ëndërr e moçme, por edhe një ndër kërkesat permanente, qysh atëherë kur detyroheshin mësuesit që në ditarin e nxënësve të mos e shkruajnë përmbajtjen e orës mësimore në gjuhën amë. Por, se sa gjen zbatim gjuha shqipe, përgjegjës për këtë, së pari është Inspektorati për zbatimin e gjuhës shqipe, pastaj vet institucionet qendrore dhe vendore, për të cilat janë dëshmitarë administratorët ose ata në rolin e përkthyesit dhe vetë qytetarët, të cilët marrin shërbime nga administrata shtetërore. Sukses të madh e konsiderojmë dhe hapjen e Universitetit “Nëna Terezë” (UNT), në kryeqytet. Ishte ky një korrigjim gabimi i plejadave të  politikanëve të mëhershëm, të cilët e lanë kryeqytetin pa universitet në gjuhën shqipe, duke trajtuar Tetovën si kërthizën shqiptare, duke harruar faktin se Shkupi edhe sot, edhe historikisht, ka qenë dhe mbetet epiqendra ku vendoset për fatin e shqiptarëve, bile jo vetëm të Maqedonisë së Veriut.

Aq më tepër kur dihet edhe fakti se në kryeqytet jetoj një numër i madh i popullatës sonë, por aty gravitojnë edhe shqiptarët e Kumanovës, Likovës, Luginës së Preshevës, Velesit etj. Duhet pasur parasysh edhe një të dhënë tjetër, se në kryeqytet është administrata shtetërore qendrore, mjetet e informacionit, përfaqësitë diplomatike, kapacitetet industriale etj., etj. Me kalimin e kohës, shqiptarët po bëhen faktor i rëndësishëm  shtetformues, megjithëse akoma iu duhet të luftojnë për një shkallë më të lartë zhvillimi dhe barazie. Kjo luftë po zhvillohet, gjithmonë me pengesa, në frontin e përfaqësimit më adekuat, në gjyqësor, në punësim e kështu me radhë. Edhe në sferën e përdorimit të gjuhës shqipe, punët nuk shkojnë aq mirë, se pritet formimi i disa institucioneve ndihmëse, por ja që s’bëhen e s’bëhen. Në këtë rrugëtim, që këtu po e paraqesim gati telegrafisht, do përmendur edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës dhe ajo për fqinjësi e mirëkuptim reciprok me Bullgarinë. Me të dyja këto marrëveshje të rëndësishme, vendit i hapen perspektiva evropiane. Natyrisht që këtu duhet të përmendim edhe ndonjë lëshim a kompromis, siç është ndryshimi emrit të vendit, ose shtimi i epitetit – E VERIUT.

Pra, shteti tani e tutje do të quhet Republika Maqedonia e Veriut. Ndonëse, u gjet një gjuhë me shtetin grek, dilema mbetet me shtetin bullgar, që Maqedonisë dhe maqedonasve i’a konteston gjuhën dhe një pjesë të historisë dhe traditës. Të theksojmë se kushtet e Bullgarisë përkrahen edhe nga disa shtetet e Bashkimit Evropian, ku tashmë dihet që Bullgaria është anëtare. Data për negociatat e RMV-së me BE-në, edhepse është premtuar nga politikanët tanë se kjo datë do të jetë e afërt, një gjë të tillë nuk po ndodh akoma. Dhe kjo, jo për fajin e BE-së, por për faktin se qeveria e RMV nuk i përmbush kriteret e kërkuara nga pala evropiane, pra nga Komisioni Evropian.

Përveç ngecjes në plotësimin e kushteve, këtë proces po e ngadalëson edhe aktiviteti parazgjedhor e zgjedhor, ku partitë politike po bëjnë luftë të ashpër për t’u dëshmuar para elektoratit të tyre se secila është më e mirë se tjetra, duke premtuar gjithçka, edhepse janë të vetëdijshme se realizimi i këtyre premtimeve është shumë larg të mundshmes. Këto zgjedhje do të nxjerrin një qeveri, e cila do ketë për detyrë të plotësojë një pjesë të madhe të kërkesave të KE, por edhe për të krijuar kushte  dhe ambient pak më të mirë se ky që përjetojmë, si në planin ekonomik, gjyqësor, lirinë e fjalës, mirëqenien sociale, raporte më të mira ndëretnike dhe fqinjësore etj., etj.

Një detyrë shumë të rëndësishme qeveria do ketë edhe me parandalimin ose zbutjen e migrimit të të rinjve dhe të arsimuarve, kategori kjo e cila po e braktis vendin, jo vetëm për standard më të lartë, por edhe për bukën e gojës. Ne mendojmë se me anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike (NATO), janë krijuar parakushtet për investime më të mëdha e më cilësore, prandaj qeveria e ardhshme duhet ta shfrytëzojë këtë favor.

Dhe, pas këtij ekspozeje pak të zgjatur, shtrohet pyetja: si do ta pagëzonim  këtë vit që po e lëmë, se një emër e do, edhepse deri në fund ka mbetur gjysma e tij. T’i them i suksesshëm, s’e meriton plotësisht; t’i themi i “sëmurë” (me virusin Korona), mbase nuk do na shtrojë në shtrat të gjithëve, t’i themi emblematik, nuk i përgjigjet të vërtetës… Atëherë po e quajmë ”I brishtë”, pasi sukseset zhvillimore i kishte të brishta, por edhe realizimet e premtimeve megalomane, i kishte të tilla. Duke marrë parasysh këto rezultate, më duhet të pohoj se, shpresat për këndellje (në shumë fusha), do t’i kemi të vakëta. Dashtë Zoti dhe qeveria e re që pësim të dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut, na befason për të mirë. Do të ishte surprizë e këndshme. Më në fund përse të mos e meritojë ky popull një befasi të tillë.?! Përse?!

Comments are closed.