Shkup, 12 qershor – Bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në vendet e huaja janë shembulli më i lartë i atdhedashurisë që edhe përkundër ndikimit të kulturave të huaja, ruajnë të paprekur identitetin e tyre kombëtar. Në mesin e tyre qëndrojnë të palëkundur edhe shqiptarët e Ukrainës, të cilët sot me kënaqësi të madhe, Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu bashkë me gazetarin e nderuar Daut Dauti, afaristin e mirënjohur Driton Shuku dhe profesorin Jeton Musliu i mirëpritën sot në Komunën e Çairit, pwrcjellw KOHA.
“Vizita e grupit të mësuesve dhe nxënësve shqiptarë nga Ukraina ishte çasti kulmor i bashkimit vetëdijësues shpirtëror që na shërben shumë të dyja palëve. Në ato çaste sa qëndruam në mesin e tyre, ne kuptuam peshën e madhe të vlerave tona kombëtare, nevojën e përkrahjes që duhet të japim për ti ndihmuar ata në sfidën e ashpër me kohën dhe edukimin e brezit të ri në frymën kombëtare. Le të jetë atdhedashuria e tyre frymëzim për të gjithë ne”, u shpreh Ganiu lidhur me këtë takim mjaft të rëndësishëm.
Duke e pasur këtë parasysh, ai, siç citojnë nga shërbimi informativ i komunës së Çairit, mes të tjerash theksoi se dyert e Komunës së Çairit do të jenë gjithmonë të hapura. Njëherit premtoi edhe përkrahjen e tij të plotë që edhe studentët shqiptarë nga Ukraina të mund të fitojnë bursa studentore në universitetet shqiptare të vendit tonë. (koha.mk)