Riçmond, 23 shkurt – Në shtetin amerikan të Virxhinias, deputetët e miratuan propozim-ligjin për heqjen e dënimit me vdekje, i cili iu dërgua për nënshkrim tek guvernatori, demokrati Ralf Nortem, i cili synon ta nënshkruajë atë. Kështu, Virxhinia do të bëhet shteti i parë në pjesën jugore të SHBA-së, ku ky lloj dënimi do të shfuqizohet në nivelin legjislativ, shkruan “Vashington Post”.
Virxhinia do të jetë shteti i 23-të që e heq dënimin me vdekje, i cili do të zëvendësohet me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.
Sipas gazetës, ky vend deri më tani ka qenë lider në numrin e ekzekutimeve të kryera në territorin e tij. Gjatë ekzistencës së Virxhinias, e cila ishte fillimisht një koloni angleze dhe më pas shtet në SHBA, autoritetet ekzekutuan gati 1.400 persona. Ekzekutimi i parë u zhvillua në vitin 1608, kur një burrë që besohej të ishte spiun spanjoll u ekzekutua në Xhejmstaun, vendbanimi i parë anglez në SHBA-në bashkëkohore.
“Në historinë e gjatë të Virxhinias, ky shtet ka ekzekutuar më shumë persona se kushdo tjetër. Koha është për të ndaluar këtë makinë vrasëse”, deklaruan guvernatori Nortam, lideri i shumicës së Senatit, Riçard Saslou, dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Ajlin Filler-Korn.
Në dhjetor të vitit të kaluar, disa dhjetëra anëtarë të Kongresit amerikan i bënë thirrje presidentit të tanishëm Xho Bajden, i cili gjatë fushatës së tij u zotua të heqë dënimin me vdekje në nivelin federal dhe të arrijë shfuqizimin e ligjit në nivelin shtetëror.