Nga masat e marra për shkak të parandalimit të virusit korona, më së shumti po vuajnë sipërmarrjet që janë të lidhura me rrjetet ndërkombëtare apo ato të eksportit. Ekspertët e fushës thonë se mbyllja e kufijve, aeroporteve si dhe shumë bizneseve të tjera do të shkaktoj një krizë të thellë ekonomike
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 mars – Në vitet tridhjetë të shekullit XX, SHBA-të, u goditën nga një depresion financiar, si pasoj e rënies drastike të ekonomisë botërore. Koha e depresionit të madh ndryshonte në vende të ndryshme. Në shumicën e vendeve ajo filloi në vitin 1929 dhe zgjati deri në vitin 1941. Ishte depresioni më i thellë dhe më i përhapur i shekullit të 20-të i cili shkaktoi humbje të mëdha ekonomike. Në shekullin XXI, i ashtuquajturi depresioni i madh përdoret zakonisht si një shembull se sa larg mund të bjerë ekonomia botërore dhe kriza që mund të shkaktoj. Nga ekspertët ekonomik në të gjithë botën, thuhet se virusi korona mund të ndikoj që tani e gjithë bota të përjetoi depresionin financiar por me përmasa shumë më të mëdha se ato të shekullit të kaluar, që i përjetoi SHBA-ja. Si shkak i virusit korona, Qeveria e RMV mbylli të gjitha lokalet në vend, kufijtë, aeroportet dhe shumë biznese dhe kompani të tjera, si masë për parandalimin e shpërndarjes së kësaj pandemie. Por ekspertët e fushës thonë se mbyllja e kufijve, aeroporteve si dhe shumë bizneseve të tjera do të shkaktoj një krizë të thellë ekonomike. Ata kanë argumentuar se rënia e ndjeshme e tregtisë ndërkombëtare pas vitit 1930, ndihmoi në përkeqësimin e depresionit, veçanërisht për vendet që varen nga tregtia e jashtme.
Profesori universitar i ekonomisë, Sami Bislimi, në një prononcim për gazetën KOHA, ka thënë se pandemia nga virusi korona, përveç pasojave në shëndetin e njeriut dhe vdekshmërisë së lartë te popullatës së moshuar, pritet të shkaktojë implikime negative edhe mbi rrjedhat ekonomiko-financiare, jo vetëm në nivel nacional, por edhe ne atë global. “Vendet sikur, Kina, Italia, Spanja e tjerë, po ballafaqohen me harxhime të mëdha në trajtimin dhe kurimin e të prekurve nga virusi korona, por edhe me probleme të theksuara në zhvillimin e rrjedhave ekonomike, posaçërisht në disa sektorë të ekonomisë, sikur janë, komunikacioni ajror dhe rrugor, sektori i turizmit, furnizimi me mallra, lëndë të parë dhe të tjera”, është shprehur Bislimi.
Ai tha, se nëse kemi parasysh faktin se, në kushte të liberalizimit dhe globalizimit të ekonomive dhe tregjeve nacionale në një treg global, atëherë është më se e pritur se, çdo rrjedhë negative në rrafshin ekonomik dhe financiar reflektohet edhe në rrjedhat ekonomiko-financiare në ekonominë globale, kuptohet, varësisht prej pjesëmarrjes të ekonomive nacionale në tregun global. Sipas tij, vendet me potencial më të madh ekonomik dhe financiar kanë kapacitet më të madh për tu ballafaquar me krizën e tanishme. “Ekonomitë e zhvilluara kanë fonde të mjaftueshme të mjeteve për tu ballafaquar me krizën e tanishme. Për shembull, BE ndau rreth 700 miliardë euro për të zvogëluar efektet negative të krizës së tanishme, gjithashtu edhe presidenti Amerikan premtoi një pako financiare prej disa qindra miliardë dollarë. Solidariteti dhe ndihma e vendeve të zhvilluara për momentin është ma se e nevojshme”, sqaron Bislimi. Si do qoftë ekonomia botërore ballafaqohet me një sfidë me rrezikshmëri të lartë, sipas tij, dhe kjo mund të ishte vetëm si hyrje në një cikël të pavolitshëm ekonomik në nivel nacional dhe global, qe mund të sjell deri te hyrja në gjendje të recesionit ekonomik.
Nga masat e marra për shkak të parandalimit të virusit korona, më së shumti po vuajnë sipërmarrjet që janë të lidhura me rrjetet ndërkombëtare apo ato të eksportit. Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire e shikon lëndueshmërinë e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit për shkak të epidemisë madje edhe si “Game Changer” (‘Ndryshimi i lojës’) për globalizimin, një ngjarje që mund të ndryshojë tërësisht zhvillimet e deritanishme. Shpërthimi i krizës e pasojat e pandemisë kanë nxjerrë në pah sipas të tij një varësi “të papërgjegjshme dhe jo të arsyeshme” nga Kina. Ndërsa presidenti i Dhomës Europiane të Tregtisë në Kinë, Jörg Wuttke, ka thënë se pasojat ekonomike për shkak të virusit “do të jenë edhe më të mëdha nga sa mendojnë shumice e njerëzve”. (koha.mk)