Sipas ekspertëve, lajm i mirë është se në bazë të analizave të deritanishme – as uji dhe as rëra nuk përbëjnë rrezik për infektimin e pushuesve. Ata thonë se plazhet që janë të pasur me jod dhe me kripë, nuk janë ambient i përshtatshëm për viruset
Zenel MIFTARI
Shkup, 19 maj – Në këtë situatë krize një nga sektorët ekonomik që ka marrë goditjen më të rëndë është sektori i turizmit, i cili ndodhet përpara një sfide tepër vështirë. Tani më u bënë pesë muaj që bota po përballet me virusin korona, ndërkohë që pandemia globale ka mbyllur shumë njerëz në shtëpitë e tyre dhe ka kufizuar lirinë e lëvizjes së tyre. Por tani me afrimin e verës, të gjithë pyesin se a do të kemi pushime verore dhe si do të jenë ato?
Sipas parashikimeve është e mundshme që këtë verë të kemi pushime verore, por me një situatë krejtësisht tjetër nga ajo që jemi mësuar deri më tani. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, do të koordinohen me vendet fqinje për një strategji të përbashkët për pushimet dhe udhëtimet gjatë muajve të verës. Filipçe, tha që homologu i tij grek e kishte informuar se Greqia është duke planifikuar që të hapin kufijtë në qershor. “Pas koordinimit me fqinjët, do të merren masa që do të respektojnë të gjithë qytetarët, nga të gjitha vendet përreth, nëse ata dëshirojnë të udhëtojnë”, u shpreh Filipçe.
TURIZMI NË VENDET E BE-së EDHE GJATË PANDEMISË
Në Bashkimin Evropian po zhvillohet një debat i gjerë për futjen e pasaportave speciale COVID-19 që do të mund të ofrojnë lëvizje në vendet anëtare të BE-së. Sipas Komisionit Europian, gjendja ekonomike e industrisë së turizmit nuk është e rëndë vetëm në Europën Jugore rreth Detit Mesdhe por edhe në Gjermani. Ekonomia e turizmit pritet të ketë rënie të të ardhurave nga pushimet verore deri në 70 për qind këtë vit. Komisioneri Evropian për Tregun e brendshëm dhe shërbime, Thierry Breton thotë se, është e nevojshme të alokohen fondet e shpëtimit në sektorin e turizmit së pari. Ai gjithashtu propozon organizimin e një samiti të veçantë në shtator ose tetor për të përballuar pasojat e pandemisë dhe hartimin e një plani të ri për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Europë.
Greqia, është një nga vendet që varet nga turizmi. Sipas ministrit të Turizmit, Harry Teoharis, sezoni turistik në Greqi do të zgjasë tre muaj, i cili do të filloj nga korriku dhe do të zgjasë deri në shtator. “Ne po planifikojmë që për turistët të cilët dëshirojnë kalojnë verën në Greqi, do t’iu kërkojmë një “pasaportë shëndetësore” e cila do të jetë dëshmi se personi që udhëton nuk është i infektuar me Covid-19”, është shprehur ai.
Turizmi në Spanjë përbënë 11 për qind të bruto prodhimit vendo. Ministrja e Financave Maria Jesus Montero theksoi se Spanja nuk do ta fillojë sezonin turistik derisa të jetë mjaft e sigurt se nuk do të ketë valë të dytë të virusit korona, e cila ulë pritjet se do të këtë sezon turistik këtë verë. Italia ka vlerësuar se do të ketë një rënie prej 260 milion prezencash turistike, nëse krahasohet me vitin e kaluar do të jetë minus 60 për qind, e cila do shoqërohet me një humbje të konsiderueshme të shpenzimeve të turizmit duke arritur vlerat e mbi 18 miliard eurove. Sipas BE humbjet do të kapin vlerën e një miliard eurove në muaj.
SHQIPËRIA BËHET GATI TI HAP KUFIJTË PËR TURISTËT
Autoritet në Shqipëri thonë se janë duke u bërë përgatitjet për sezonin turistik, pasi që situata me virusin korona është drejtë stabilizimit. Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, në një deklaratë për media ka treguar se riviera e Durrësit është gati për të pritur turistët kosovarë prej datës 15 qershor. “Në përgjithësi situata në Shqipëri është drejt stabilizimit. Ne si bashki jemi duke bërë përgatitjet për sezonin e ri turistik. Të hënën me datën 18 hapen të gjitha baret dhe restorantet. Të gjithë janë duke bërë riparimet e vogla dhe punimet paraprake për të pritur turistët”, ka thënë Tahiri. Ai ka shtuar se nuk presin numër të madh të turistëve si në vitet tjera, për shkak të pandemisë me virusin korona.
Genc Sulçebe, imunolog ka thënë se me ardhjen e verës, COVID-19 do të largohet dhe nuk pritet të rikthehet të paktën deri në nëntor-dhjetor, kur nis sezoni i gripit. Ai ka shtuar se mund të themi që Shqipëria e ka kaluar këtë virus dhe parashikimet janë mjaft optimiste. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një video të publikuar në Facebook, ka thënë se me 11 maj do të fillohet me hapjen e kufijve. Sipas ekspertëve, lajm i mirë është sepse në bazë të analizave të deri tanishme as uji, dhe as rëra nuk përbëjnë rrezik për infektimin e pushuesve. Ata thonë se plazhet që janë të pasur me jod dhe me kripë nuk janë ambient i përshtatshëm për viruset. (koha.mk)