Sipas një studimi të zhvilluar nga Universiteti Cambridge, viruset janë më të rrezikshme kur infektojnë viktimat e tyre në mëngjes, transmeton Klan Kosova. Të gjeturat, të publikuara tek PNAS, tregojnë që virusi është dhjetë herë më i suksesshëm në qoftë se fillon në mëngjes. Ndër të tjera ky studim i zhvilluar tek kafshët ka treguar që koha kur ora e trupit prishet – e shkaktuar nga puna me turne apo fluturimet e gjata – është gjithmonë më e ndjeshme ndaj infeksioneve. Studiuesit kanë thënë që këto të gjetura të reja ndihmojnë në mënyrat për ndaljen e epidemive. Viruset për dallim prej baktereve, kanë nevojë që të marrin nën kontroll komplet mekanizmin e qelizës në mënyrë që të dyfishohet. Mirëpo, qelizat ndërrojnë drastikisht gjatë 24 orëve, të njohur edhe si ora e trupit. Në studim minjtë janë infektuar me herpes, që shkakton shumë sëmundje, apo influenca, që shkakton gripin. Infeksioni tek minjtë e injektuar në mëngjes është treguar dhjetë herë më i suksesshëm se sa infeksioni i injektuar në mbrëmje.