Rita Ora dhe themeluesi i “Live Aid”, Sir Bob Geldof, janë bashkuar në luftën kundër virusit korona. Për të rritur ndërgjegjësimin dhe fondet për luftën kundër COVID-19, dyshja kanë krijuar një emblemë për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Kombet e Bashkuara
Zenel MIFTARI
Shkup, 4 prill – Kriza shëndetësore e cila ka kapluar të gjithë botën, ka ngritur në këmbë aktorët, artistët dhe sportistët që të japin donacione dhe të kontribuojnë për t’ia lehtësuar Botës, për t’u përballur me virusin korona. Ndër sportistët botëror që kanë dhënë donacione për t’u përballur me virusin korona janë ylli portugez Kristiano Ronaldo, agjenti i tij, Jorge Mendes, Lionel Messi si dhe Novak Gjokoviç. Ronaldo dhe agjenti tij, kanë vendosur t’i financojnë tre njësi të kujdesit intensiv që merren me pacientët që vuajnë nga infeksioni me virusin korona në dy spitale në Lisbonë dhe në Porto të Portugalisë. Ndërkohë tenisti, Novak Gjokoviç së bashku me bashkëshorten e tij Jelena dhuruan një milion euro për të blerë respiratorë dhe pajisje mjekësore në Serbi.
Rita Ora dhe themeluesi i “Live Aid” Sir Bob Geldof janë bashkuar në luftën kundër virusit korona. Për të rritur ndërgjegjësimin dhe fondet për luftën kundër COVID-19, dyshja kanë krijuar një emblemë për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Kombet e Bashkuara. Stema e cila përbëhet nga një mikrob brenda një simbol paqeje do të përdoret për të promovuar dhe dhënë një zë më të lartë pranë fondit të reagimit të solidaritetit Covid-19, i cili u krijua nga OBSH dhe KB për të ndihmuar ata që janë më të prekur nga pandemia në vazhdim
Armend Alimi, lojtari i klubit të futbollit Shkëndija, ka deklaruar për gazetën KOHA, se nga sponsori i klubit asnjëherë nuk ka munguar mbështetja e ofruar në mënyra të ndryshme. Gjithmonë kur është shfaqur nevoja për diçka të tillë edhe pse jo gjithnjë gjerat janë bërë publike. “Si klub gjithsesi se e kemi menduar se çka mundemi të ndihmojmë në këtë krizë shëndetësore, por deri këtë moment nuk kemi dalë në mënyrë të organizuar, duke ditur se të gjithë lojtarët dhe stafi janë liruar në shtëpi dhe të gjendur në rrethin më të afërt në mënyra individuale secili ka orientuar mbështetje aty ku ka ndjerë se me së shumti është nevoja”, është shprehur ai. Alimi, thotë që për fat të keq kjo pandemi rezulton fatale për shumë njerëz në të gjithë Botën. Ai thotë se as vendi ynë nuk është i përjashtuar nga kjo krizë, që sipas tij edhe më vendin tonë do ta ndjejmë nga afër. Ai shprehet se klubi do të sensibilizohet dhe padyshim që do të bashkohet në çdo mënyrë të ndihmesës për të gjithë ato që kanë nevojë, për të vetmen arsyeje ë së bashku ta kalojmë sa më shpejtë dhe me sa me më pak pasoja këtë krizë.
Ndryshe dy biznese, kryesisht studio të modës njëra nga Kumanova dhe tjetra nga Tetova, kanë qepur maska dhe i kanë dhuruar ata falas për qytetarët, shtëpitë e shëndetit dhe ushtrinë. Sipas tyre, këtë aksion e kanë ndërmarr në emër të solidaritetit dhe për t’u përballur sa më lehtë me virusin korona që të kalohet sa më shpejt. (koha.mk)