Si shumë grekë të tjerë edhe Nikos Varthimiadis falimentoi. Borxhet e mëdha ia shkatërruan vitin e kaluar furrën e bukës dhe e detyruan këtë mesoburrë, baba të tre fëmijëve të regjistrohet në radhët e të papunëve, një numër që në Greqi është më i madhi mes 28 vendeve të Bashkimit Evropian. Muajt në vijim pasuan herë me punë e herë pa punë.
Por kërkimi i një pune të përhershme në Greqinë e mbytur nga kriza më e madhe financiare, që mund të ketë goditur ndonjë vend të Bashkimit Evropian, ishte e kotë. Kështu i joshur nga një shok, po ashtu i papunë, si dhe reklama e shkëlqyer që premtonte të ardhura deri 1.300 euro në muaj, Varthimiadisi firmosi kontratën me një agjenci greke që rekrutonte punëtorë lokalë për një fabrikë japoneze në Republikën Çeke. Kushtet e punës në fabrikën që ndodhet në Kadan, rreth 90 km në verilindje të Pragës, dukeshin shumë të mira, por konfiguracioni i kontratës ishte mashtrim.
MASHTRIMET E “AGJENCIVE” PËR PUNËSIM
“Sa shkuam atje”, tregon Varthimiadis, “përfaqësuesit e shërbimit të rekrutimit na vunë përpara një kontratë, në të cilën shkruheshin gjëra krejt të tjera: rroga mujore ishte 540 euro, pa pagesë për orët jashtë orarit ose përfitime të tjera që na ishin premtuar”. Ish-bukëpjekësi dhe shoku i tij refuzuan të firmosnin dhe u kthyen menjëherë në Greqi. Por të tjerët, pjesa më e madhe të rinj që po konfrontohen me papunësinë 50 për qind të lartë në vend, qëndruan.
“Që në minutën kur hipëm në autobusin e rrënuar për të bërë udhëtimin 40 orë deri në Kadan, u duk qartë se kishim të bënim me një mashtrim”, i tregon Deutsche Welles Christina Neri. “Por kur është i dëshpëruar njeriu ka tendencën të mos shikojë shumë gjëra”. Rreth 55 mijë agjenci në gjithë Evropën rekrutojnë çdo vit qindra mijëra punëtorë për punë krahu dhe punë në sektorin e shërbimit. Agjencitë u mundësojnë punëdhënësve të marrin punëtorë më fleksibël për të kursyer kostot gjigande të punës.
Më shumë se 427.000 grekë janë larguar nga Greqia për të kërkuar punë jashtë vendit, që kur ekonomia pësoi kolaps në vitin 2009. Truri i vendit po largohet, shkruan Banka Greke. Niveli i emigrimit e rendit Greqinë në vendin e tretë pas Qipros dhe Spanjës, sa u përket shifrave të të rinjve që largohen nga vend.
TRANSHË ME VLERË 5.7 MILIARDË EURO PËR GREQINË
Transhë të re me vlerë 5,7 miliardë euro do të marrë Greqia në gjysmën e dytë të marsit, u vendos në takimin e mbrëmshëm të Eurogrupit. Kryetari i Eurogrupit, Mario Senteno para gazetarëve deklaroi se në prill në rend dite do të jetë edhe çështja për lehtësimin e borxhit grek. Eurokomesari për çështje ekonomike dhe financiare, Pjer Moskovisi shprehu kënaqësi nga negociatat e Greqisë me kreditorët e saj. Njëherësh, ai paralajmëroi se për Qeverinë greke vijojnë 100 ditë kritike, para takimit të Eurogrupit më 21 prill, ku duhet të sillet zgjidhje për finalizim pozitiv të programit për shpëtim për vendin që gjatë verës së ardhshme. Gazeta “Katimerini” vlerëson se afati deri nga fundi i programit është shumë i shkurtë, sepse deri atëherë Greqia duhet të përmbushë edhe 88 masa të kërkuara nga kreditorët. (DW)