Donatorët që bashkëpunojnë me shoqata humanitare, në të shumtën e rasteve duan të ngelin anonimë, mirëpo mediat nuk duhet të bëhen aq të shurdhra dhe të mos afirmojnë altruizmin e këtyre shoqatave. Bamirësia, fundja, nuk kërkon reklamë, por vëmendja publike ka nevojë për krijimin e modeleve pozitive, duke futur kulturën e solidaritetit në praktikën tonë të përditshme si një kod që duhet ti bashkojë dhe artikulojë vlerat njerëzore
Nga Emin AZEMI
Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para rreziqeve.
Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vjen nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan.
Ndër personazhet e harruar janë edhe ata të cilët me vite kanë ndihmuar jetimët, skamnorët, të pastrehët, por që për ta shumë pak shkruhet e flitet në media. Ekziston madje edhe një paragjykim bllokues ndaj tyre, për faktin se ata mund të jenë personalitete fetare, rrethanë kjo që pa nevojë është konsideruar si tabu temë dhe nuk dihet sipas cilave kritere mediat përcaktojnë (jo)përshatsshmërinë e tyre publike.
Ekzistojnë disa arsye pse mediat kanë mbajtur qëndrim paragjykues ndaj fondeve me prejardhje fetare, sidomos kur ato nuk janë transparente dhe në të shumtën e rasteve shkojnë nëpër kanale tepër të diskutueshme. Madje, përtej paragjykimeve, janë bërë edhe hulumtime që kanë rezultuar me fakte pak a shumë komprometuese për vetë mënyrën e financimit, si dhe për dedikimin e këtyre fondeve.
Mirëpo, përtacia gazetareske për të mos hulumtuar edhe rastet pozitive, nganjëherë nuk mund të justifikohet, dhe më së paku të krijohen tabllo bardh e zi, ku mund të bien viktimë e mosvëmendjes publike edhe njerëz të ndershëm, të cilët, edhe pse i takojnë estabilishmentit fetar, ata megjithatë luajnë një rol të rëndësishëm në zbutjen e varfërisë dhe tejkalimin e problemeve të vështira sociale në shumë familje shqiptare.
Në një “grep” të tillë të mosvëmendjes publike mund të ketë rënë edhe shoqata “Jetimët e Ballkanit”, e cila për shumë vite është shumë aktive në mbarë hapësirën shqiptare, qoftë përmes dhënies së ndihmave të drejtpërdrejta, siç është edhe ndërtimi i shtëpive për të pastrehët, por edhe përmes ndihmave të tjera, përfshi edhe kuzhinat popullore për ofrimin e ushqimit falas në tre qytete të Kosovës.
Donatorët që bashkëpunojnë me shoqata të tilla, në të shumtën e rasteve duan të ngelin anonimë, mirëpo mediat nuk duhet të bëhen aq të shurdhra dhe të mos afirmojnë altruizmin e këtyre shoqatave. Bamirësia, fundja, nuk kërkon reklamë, por vëmendja publike ka nevojë për krijimin e modeleve pozitive, duke futur kulturën e solidaritetit në praktikën tonë të përditshme si një kod që duhet ti bashkojë dhe artikulojë vlerat njerëzore. (koha.mk)