“Edhe pse kanë kaluar dy vite nga afati i Strategjisë 2017, kjo kornizë ligjore ende nuk është vendosur. Mbetet obligimi i institucioneve kompetente të sigurojnë kushte për procedurë të mirëfilltë për sanimin e pasojave negative dhe t’ju japin mundësi viktimave nga proces jo i drejtë dhe i keqpërdorur i lustrimit të realizojnë kompensim për padrejtësinë dhe dëmin e bërë”, theksojnë nga “Blueprint Grupi”
Omer XHAFERI
Shkup, 14 dhjetor – Sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut nuk disponon me mekanizëm për shfuqizimin e masave dhe pasojave juridike nga procesi i lustrimit. Kjo vërejtje, si problematikë iniciohet nga “Blueprint Grupi”, të cilët thonë se Ligji për lustrim i miratuar në vitin 2008 dhe i plotësuar në vitin 2012 ishte shndërruar në një mekanizëm për revanshizëm politik, gjegjësisht Qeveria aktuale është vonuar në krijimin e kornizës ligjore për dëmshpërblimin e viktimave nga ky proces, shkruan gazeta KOHA.
“Në raportin e grupit të ekspertëve nga Komisioni Evropian, i njohur si ‘Raporti i Pribes’, u potencua politizimi i këtij procesi, mos ekzistimi i komisionit të pavarur dhe ekzistimi i mungesave të caktuara në ligj. Si pasojë e këtyre konstatimeve, grupi i ekspertëve në pjesën e rekomandimeve sugjeroi se pushteti duhet të mendoj për tërheqjen e plotë të tij. Pas këtij propozimi, Parlamenti e miratoi Ligjin për shfuqizimin e Ligjit për lustrim, me mundësi që lëndët e filluar, të zbatohen edhe një periudhë të caktuar, me çka në esencë, nuk u plotësuan rekomandimet e Pribes. Kësisoj, edhe përkundër shfuqizimit të Ligjit kontestues në vitin 2015, pasojat juridike për të lustruarit vazhdojnë të vlejnë, të cilët edhe më tej nuk kanë mekanizëm për mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit personal”, thonë nga “Blueprint Grupi”.
Procesi i lustrimit në Maqedoninë e Veriu përfshiu mbi 300 persona, ku u shqyrtuan rreth 30 mijë dosje, me çka si bashkëpunëtorë të shërbimeve u shpallën 200 persona, përfshi politikanë, profesorë, gjykatës e personalitete nga sfera të ndryshme. Sipas grupit të shoqatave joqeveritare që merren me çështje juridike dhe për të drejtat e njeriut “Blueprint Grup”, pushteti aktual e mori përsipër që nëpërmjet Strategjisë për reforma në gjyqësor 2017-2022, t’i sanojë pasojat e dëmshme ndaj personave, të cilët ishin viktima të këtij ligji, përmes vendosjes së kornizës ligjore për shfuqizimin e masave dhe pasojave juridike nga procesi i lustrimit.
“Këto përpjekje, Ministria e Drejtësisë, duhej t’i realizojë përmbyllur me dhjetorin e vitit 2017. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar dy vite nga afati i strategjisë, kjo kornizë ligjore ende nuk është vendosur. Mbetet obligimi i institucioneve kompetente të sigurojnë kushte për procedurë të mirëfilltë për sanimin e pasojave negative dhe t’ju japin mundësi viktimave nga proces jo i drejtë dhe i keqpërdorur i lustrimit të realizojnë kompensim për padrejtësinë dhe dëmin e bërë. Ndërkohë, shteti përmes zbatimit të parimit të përgjegjësisë objektive t’i dëmshpërblej viktimat”, theksojnë nga “Blueprint Grupi”
Ndryshe, edhe pse Ligji për lustrim u shfuqizua në vitin 2015, personat e lustruar, të cilët u shpallën bashkëpunëtor të të huajve, nuk kanë të drejtë të punojnë në institucionet shtetërore. Përveç sektorit civil në vend, të cilët me iniciativa të ndryshme para Gjykatës Kushtetuese e kontestuan Ligjin për lustrim (pa sukses në vitin 2014), vërejtje për dispozitat e ligjit në fjalë vite më parë shprehu edhe Komisioni i Venecias. Sipas tyre, i paqartë ka qenë arsyetimi në Ligjin për lustrim, se kush mund të lustrohet, gjegjësisht qëndrimi i tyre ishte se lustrimi duhet të jetë i kufizuar për pozicione, për të cilët ka arsye serioze të besohet se personi paraqet rrezik serioz për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. (koha.mk)