Nga Emin AZEMI
Sa monografi e filma dokumentarë u prodhuan në shenjë përkujtimi të figurave të ndryshme që kishin qenë pjesë e proceseve në të kaluarën. Në të gjitha këto përkujtime sikur ka nevojë të nxirret në pah madhështorja, heroikja, e papërsëritshmja.
Por, të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.
Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, nënën e gruan e vetmuar nga prapavija, dhe përgjithësisht njeriun e thjeshtë të sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, me dedikime tepër përfituese, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve e njerëzve të margjinave që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, për të cilët askush nuk harxhon një varg kënge as një strofë poezie.
Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vjen nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, apo të një kujdesi më të fokusuar institucional, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret dhe vuajtjet që përjetuan.
Kjo mënyrë e selektimit të heronjve në komandantë e ushtarë anonimë, në luftëtarë me dhe pa epoleta, në veprimtarë me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konsiderojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.
Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit.
Megjithatë, njeriu i madh lind, ai nuk bëhet, ndërkohë që privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar irritim të paparë tek shtresat e gjera të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”. Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.
Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e luftërave çlirimtare, këndej e andej, dje e pardje. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.
Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para ca viteve i kishte edhe heronjtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.
Fundja a ka nevojë të shkruhen libra e të xhirohen dokumentar për ata që po të ishin gjallë, do ta rishkruanin historinë ndryshe. Pezmi e mllefi i tyre për të protestuar do të ishte më i madh se çdo lavdi e rrejshme e heronjve të pasluftës. (koha.mk)