Liga Profesioniste e Futbollit të Shqipërisë vijon me bojkotin e këtij sporti deri në plotësimin e katër kërkesave nga qeveria, teksa hapi i radhës është sërish zbritja në fushë dhe leximi i mesazhit drejtuar kryeministrit Rama. Ashtu si një javë më parë edhe dje në “Loni Papuçiu” të Fierit, futbollistët e Apolonisë e Kastriotit zbritën në fushë, kapitenët lexuan deklaratën dhe më pas skuadrat u rikthyen në dhomat e zhveshjes.
“Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se në vijim të vendimit të marrë në mënyrë unanime nga klubet e Kategorisë Superiore bojkoti qëndron në fuqi dhe skuadrat do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave drejtuar qeverisë. Sipas vendimit të marrë edhe në mbledhjen e fundit të Ligës, ditën e shtunë skuadrat e Apolonisë dhe Kastriotit kanë dalë në fushën e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit dhe i janë drejtuar qeverisë me një mesazh të lexuar nga kapitenët e të dy skuadrave. Më pas skuadrat janë kthyer në dhomat e zhveshjeve. Protesta vijon në të njëjtën formë edhe të dielën me katër çiftet e tjera të javës së tretë të Kategorisë Superiore sipas kalendarit, më konkretisht Teuta – Kukësi, Vllaznia – Tirana, Bylis – Skënderbeu dhe Partizani – Laçi”, – shkruhet në njoftimin e Ligës.
Gjatë kësaj jave pati një takim mes Ligës Profesioniste dhe deputetit Fidel Ylli, i cili është i ngarkuari i kryeministrit për dialog dhe duket se palët janë afruar disi mes tyre, por nuk ka ende “tym të bardhë”.