Shkup, 10 prill – Pas iniciativës dhe propozimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta – Prishtinë, Qeveria e Republikë së Kosovës ka marrë vendim që ta themelojë Qendrën Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë ‘99”.
Kjo qendër, gur-themeli i të cilës do të vendoset sot në pikën kufitare “Bllacë”, në anën kosovare, do të realizohet edhe në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa ITSHK-ja, përmes departamentit të Muzeologjisë, do të jetë kujdestar shkencor për këtë qendër memoriale.
Shqiptarët e Maqedonisë para 20 vjetëve e dëshmuan në vepër vëllazërinë ndërshqiptare, ndërsa tash do të duhet ta nderojnë ngritjen e kësaj qendre dhe të ndihmojnë që ajo të jetë konservimi më i mirë i kujtesës kolektive të të gjitha vuajtjeve shqiptare përgjatë historisë. (koha.mk)