Shkup, 20 shkurt – Shtëpia botuese më prestigjioze në botën akademike “Oksford University Press” do të botojë librin e Vigjilenca Abazit, i cili do të jetë një referencë për të gjithë ata që do të arsimohen në universitetet më të mira të botës.
Përveç librit, ajo ka shkruar 25 punime shkencore të botuara në revista prestigjioze.
Ajo së bashku me miqtë e saj Elena Stavrevska, Erlin Agiq, Lura Pollozhani, Olimpia Hristova Zaevska, janë pjesë e projektit STELA. Kjo është një nismë për çështjet e barazisë gjinore dhe përfaqësimin e grave si profesioniste në shoqëri.
Së shpejti, ajo do të bëhet profesoreshë në Nju Jork, në një nga universitetet më prestigjioze. Është me të vërtetë një krenari që vetëm 27 vjeç, Vigjilenca është kaq e suksesshme.
Ajo mban titullin Doktor i Shkencave, shkollën e mesme e ka mbaruar në “ZefLush Marku” në Shkup dhe ka përfunduar arsimin e lartë në Fakultetin Juridik në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup. Ajo gjithashtu ka marrë çmimin e Studentit të Vitit për vitin 2010. Ajo mbrojti disertacionin e doktoraturës në Universitetin e Amsterdamit në Departamentin e të Drejtës Evropiane dhe Ligjin e Bashkimit Evropian, njofton aktuale.mk. Ajo në Universitetin e Amsterdamit është në top 10 e studentëve më të mirë në klasë.
Vigjilenca Abazi është shqiptare, e lindur dhe rritur në Shkup dhe flet rrjedhshëm në disa gjuhë. Në biografinë e saj thuhet se ajo është pjesë e ekipit të autorëve që kanë shkruar direktivën për mbrojtjen e informatorëve të Bashkimit Europian që është në procedurën e Komisionit Evropian në Bruksel dhe që zbatimi duhet të kryhet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.