Vjedhja e fundit ka ndodhur mes datës 28 dhe 30 maj. Sipas denoncimit në polici të punonjësve në Ndërmarrjen Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”, persona të panjohur kanë marrë rreth 130 metra të rrjetit metalik mbrojtës. Krahas kësaj, hajnat kanë vjedhur edhe gjashtë shtylla prej hekuri, të cilat kanë qenë të vendosura përreth autostradës Gostivar-Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 3 qershor – Autostrada Gostivar-Tetovë vazhdon të jetë e pasigurt për ata që qarkullojnë këtë në aks rrugor. Së fundmi, gjatë muajve mars dhe maj ishte vendosur tel metalik mbrojtës përgjatë autostradës në disa pjesë ku ishte dëmtuar. Por megjithatë, edhe kësaj radhe nuk u ka shpëtuar hajnave, të cilët si zakonisht vjedhin telin e vendosur dhe e shesin për përfitime të tyre, duke shkaktuar në këtë mënyrë dëm të dyfishtë, së pari duke dëmtuar rrjetin mbrojtës, por edhe duke e bërë të pasigurt autostradën, shkruan gazeta KOHA.
Vjedhja e fundit ka ndodhur mes datës 28 dhe 30 maj. Sipas denoncimit në polici të punonjësve në Ndërmarrjen Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”, persona të panjohur kanë marrë rreth 130 metra të rrjetit metalik mbrojtës. Krahas kësaj, hajnat kanë vjedhur edhe gjashtë shtylla prej hekuri, të cilat kanë qenë të vendosura përreth autostradës Gostivar-Tetovë, në vendin e quajtur “Lumi i Bogovinës”, atari i fshati Zherovjan.
Kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur vjedhje e telit mbrojtës përgjatë kësaj autostrade. Vjedhjet e këtilla ndodhin gjithnjë në kontinuitet. Krahas vjedhjeve të telit, po ashtu në disa raste vetëm është dëmtuar me qëllim që disa nga bujqit të kenë qasje më të lehtë në rrugët dytësore për tek pronat e tyre. Vendosja e telit të ri mbrojtës kishte filluar diku në mes të muajit mars. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, por edhe nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” apelojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të mos dëmtojnë mburojat metalike pasi të njëjtat shpëtojnë jetë njerëzish, por njëkohësisht mbrojnë edhe kafshët që të mos kenë qasje në autostradë.
Sipas informacioneve, në aksionin për rregullimin dhe rikonstruimin e mburojave mbrojtëse në muajin mars ishin mbi 10 mijë metra tel që u rivendos përgjatë autostradës nga Shkupi deri në Gostivar. Kështu qëndron në deklarimin e fundit të drejtorit të ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”. “Ndërmarrja ‘Rrugët e Maqedonisë; ka filluar me sanimin e telit mbrojtës përgjatë autostradës Gostivar-Shkup-Tetovë, e cila në masë të madhe është dëmtuar gjatë periudhës së dimrit, por edhe tani në pranverë. Me këtë rast janë duke u sanuar mburojat mbrojtëse në mbi 10 mijë metra rrugë, ndërsa në ato pjesë ku këto mburoja janë të dëmtuara, po zëvendësohen me të reja”, deklaroi Gajur Kadriu, drejtor në këtë ndërmarrje.
Vjedhja e telit apo edhe dëmtimi sjell pasoja në zhvillimin e komunikacionit në autostradën Shkup-Tetovë, sepse mundëson që kafshët të lëvizin lirshëm dhe në këtë formë – të rrezikojnë jetën e vozitësve në këtë aks rrugor. Referuar statistikave që ka publikuar Policia e Tetovës, brenda një viti në autostradë regjistrohen deri në 100 aksidente, të cilët janë të shkaktuar nga kafshët. Sipas Policisë së Tetovës, në këtë periudhë duhet që sa më parë të merren masa pasi që në mënyrë enorme do të shtohet numri i veturave në komunikacion me ardhjen e sezonit veror. (koha.mk)