Një tifoz i futbollit i ka bërë 26 asistet e yllit të Barcelonës, Lionel Messit, gjatë vitit 2018 në një video, e cila është shpërndarë gjithandej në rrjete sociale, duke i lënë të mahnitur shumë tifozë të futbollit.
Messi arriti t’i shënojë 51 gola për Barcelonën dhe Kombëtaren e Argjentinës gjatë vitit 2018, më shumë se cilido lojtar tjetër në botë. Ky është viti i tetë nga nëntë vitet e fundit që argjentinasi arrin t’i shënojë më shumë se 50 gola brenda një viti kalendarik, transmeton Gazeta Express.
Mirëpo, Messi nuk është i njohur vetëm për aftësinë e tij për shënimin e golave, ai është një ndër krijuesit më të aftë të rasteve të mirë për bashkëlojtarët e tij. Asnjë lojtar nuk ka arritur të asistojë më shumë gola në top pesë ligat e Evropës sesa pesë-herë fituesi i Topit të Artë.
Ai i asistoi bashkëlojtarët e tij në plot 26 raste, dy më shumë se Luis Suarez dhe tri më shumë se Dimitri Payet i Marseille. Disa nga këto asiste ishin me të vërtetë mbresëlënëse dhe për këtë arsye një tifoz i argjentinasit e ka publikuar një video ku i ka grumbulluar të gjitha asistet.
https://twitter.com/twitter/statuses/1079789790642556928
Messi ka arritur që gjatë këtij sezoni të bëjë edhe më së shumti driblime, pasime, gola nga jashtë zona e portierit, gola nga gjuajtjet e lira, si dhe arriti të krijojë më së shumti raste të mira për të shënuar gol për skuadrën e tij.
Këto statistika bëhen edhe më mbresëlënëse kur theksohet se argjentinasi kishte qenë i lënduar për tri javë gjatë këtij sezoni. Ai e pësoi një lëndim në krahun e tij të djathtë në ndeshjen kundër Sevillës, më 20 tetor të këtij viti.
Messi është lënë jashtë podiumit në garën për Topin e Artë këtë vit, pasi që u radhit vetëm në pozitën e pestë. Çmimin e fitoi Luka Modrici, ndërsa pas tij ishin Cristiano Ronaldo, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe.