Arturo Vidal kthehet si “protagonist” në rrjetet sociale, pas barazimit 0-0 të Barcelonës në fushën e Athletic Bilbao. Zëvendësimi në minutën e 63-të nuk është kapërdirë lehtë nga ish-mesfushori i Juventusit dhe Bayern Munich. Pas një periudhe të qetë në “kanalet” virtuale të komunikimit, ai është kthyer për të lëshuar “shigjeta”.
Pavarësisht se luajti ndeshjen e tretë radhazi në La Liga, zëvendësimi ishte i papritur për lojtarin e datëlindjes 1987, i cili u ul i mërzitur në stol dhe la të nënkuptojë zhgënjimin e tij me vendimin e trajnerit Valverde.
Më vonë, pas ndeshjes, kileni ka postuar një video në Instagram, bashkë me një mesazh, që mund t’i drejtohet Ernesto Valverdes. Përveç “emoji”, zgjedhja muzikore nuk është e rastit, “Vivencias remix”, me një strofë emblematike: “Ata duan të më shohin duke gabuar, por nuk do të dorëzohem. Zemra ime është e një luftëtari. Këto janë rregullat e lojës dhe kushdo që i thyen ato, do të paguajë”.
Këtë sezon, pas transferimit te blaugrana-t, Vidal ka luajtur në 31 ndeshje, mes La Liga-s dhe Kupës së Mbretit, por vetëm 15 herë si titullar dhe vetëm 7 herë në fushë, për 90 minuta.
Marrëdhënia e tij me Valverde duket se nuk është riparuar, pas polemikave në fillim të sezonit. Kjo “shigjetë” e mundshme ndaj trajnerit nuk mund ta përmirësojë pozicionin e kilenit.