Një nga këngëtaret më të dashura për publikun që është i apasionuar pas muzikës popullore dhe jo vetëm Vida Kunora, edhe në këtë kohë të vështirë që po jetojmë ka gjetur guximin për të sjellë pruduksione të reja. Flasim më tej me Vidën ku për gazetën KOHA tregon shumë gjëra
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Vida, prej shumë vitesh në skenë si të gjeti ky vit kovidian?
Së pari, ju falënderoj për intervistën! Të gjithë këngëtarët, kur sjellin diçka të re në muzikë, flasin në gazetën tuaj… Kjo është shumë pozitive, sepse ndjekësit duan dhe duhet të dinë më tepër rreth jetës artistike dhe asaj private të këngëtarëve të tyre të preferuar. Na u desh shumë kohë për të vendosur nëse do ta publikonim apo jo këtë këngë; shtysë e rëndësishme kanë qenë sidomos të afërmit e miqtë, por dhe fansat, ata që më njohin prej vitesh dhe që e duan muzikën që bëjmë. Gjithsesi, në këto kohë virusi është arritje edhe të realizosh këngë e ta publikosh. Unë jam munduar të jem gjithmonë pranë ndjekësve të mi dhe do jem gjithmonë. Muzika merr jetë kur këndohet!
KOHA: Vjen me një luk të ri dhe njëkohësisht, me një muzikë “të re” le të themi në këtë bashkëpunim me Ingrid Gjonin. Ç’ka ndodhur me Vidën?
Ndoshta klipi i ri, ishte pak më ndryshe…(Buzëqesh) Jam marrë vazhdimisht me muzikë të pastër, të mirëfilltë popullore Kësaj radhe mendova të vija ndryshe me Ingridin edhe për arsyen se këngëtari duhet të ndjekë tregun dhe të bashkëpunojë më ata këngëtarë që publiku do. Muzika komerciale ka hyrë pak si tepër dhe unë, normalisht, do bëj si të tjerët, përndryshe nuk do ishim “In” apo jo?(Buzëqesh)
KOHA: Ndërkohë “Me zemër” është kthyer në Hit shumë shpejt, mendon se është goditje apo mungesa e klipeve dhe këngëve ka sjellë këtë dashuri për ju?
Është një bashkëpunim i bukur por edhe një goditje në shenjë, në fakt kishim kohe që e kishim menduar pasi djemtë e meritojnë t’u këndohet me shpirt e me zemër, djemve shqiptarë që janë djemtë më të mirë në botë. Ndaj ndihem e priveligjuar që na ndihmoi Zoti të këndojmë këtë këngë dhe ta publikojmë me Ingridin.
KOHA: Je e kënaqur me pritjen që i kanë bërë?
Shumë, si unë edhe Ingridi. Mendoj se do jetë një këngë që do qëndrojë gjatë në zemrat e shqiptarëve.
KOHA: Emri yt në Youtube është ndër të vetmit që shfaqet mbi 100 herë, kaq shumë klipe ke?
(Buzëqesh) Kam mbi 100 klipe por duhet të kesh parasysh që kam edhe kaq vite në treg dhe nëse s’do kisha kaq klipe nuk do më dukej vetja e realizuar.
KOHA: Cila është Vida, jashtë asaj që shohim në ekran?
Një njeri i thjeshtë e familjar si gjithë të tjerët. Nënë e dy fëmijëve, Jozefina dhe Justi, bashkëshorte e një njeriu të mrekullueshëm dhe mendoj edhe shoqe e mirë për shoqërinë.(Buzëqesh).
KOHA: Në këngët e tua ka gjithmonë një gjetje. Kush të ndihmon për to?
Mua më pëlqejnë sidomos shprehjet popullore, por gjithsesi, janë autorët e tekstit ata që kujdesen për këto gjëra…
KOHA: Duke bërë një retrospektivë të pëlqen më tepër Vida sot apo ajo dikur?
Edhe mënyra se si këndoja dikur, edhe ajo me të cilën këndoj sot, është njësoj e dashur për mua; u jam përshtatur lehtësisht kërkesave të kohës, pasi mendoj se muzika popullore e përpunuar është njësoj interesante. Nga ana tjetër, kam kuptuar se koha kërkon që të përshtatesh, të ndryshosh vazhdimisht, për të mbetur e freskët dhe e pëlqyeshme. Kthej kokën për të parë çfarë kam lënë pas dhe ndjej mall e nostalgji për vitet që i kam kushtuar këngës, ama, më pëlqen edhe muzika që bëj sot. Madje, ky stili i ri i të kënduarit të muzikës popullore më jep dorë të dal para publikut edhe vetëm.
KOHA: A ka një projekt në ardhje?
Sigurisht që po, është një projekt i ri i cili ka në bazë një stil të veçantë muzikor dhe që jam e bindur që do pëlqehet nga të gjithë. Uroj me shpirt të jenë të gjithë mirë dhe që kjo gjendje të marrë fund shpejt, të rikthehemi jetës dhe të këndojmë e gëzojmë bashkë të gjithë.