Kur Victoria Beckham njoftoi aventurën e saj të re sipërmarrëse si një stiliste, shumë njerëz u treguan skeptikë.
Ish-këngëtarja e “Spice Girls”, me një histori dhe përvojë të paktë, nuk mund të besohej se do të ngjiste shumë shpejt majat e kësaj industrie.
Pavarësisht nga parashikimet, zonja Beckham ka arritur një sukses pas tjetrit, duke marrë miratimin e botës së modës – Anna Wintour në vend të parë – dhe këto ditë ka festuar dhjetë vjetorin e markës së saj.
Si ka vendosur të festojë Victoria Beckham këtë arritje historike? Me një fushatë reklamash shumë të diskutuar. Në fotot e Juergen Teller, Victoria është portretizuar, me këmbët e zbuluara dhe taka të bardha, brenda në një qese “shopping”-u që mban emrin e saj.
Foto që kujtojnë fushatën e Marc Jacobs 2008, i cili fotografonte pikërisht Victorian në një qese dhe brenda një kuti marke. Arsyeja për këtë gjetje shpjegohet nga vetë Beckham.
“Kur dhjetë vjet më parë Marc Jacobs më kërkoi të fotografohesha në një qese “shopping”-u, ai ishte me të vërtetë fillimi i karrierës sime”, tha stilistja, e cila në atë kohë ishte duke punuar fshehurazi koleksionin e saj të parë.