Që “veziri” ynë me “çitjane” nga kjo gjezdisje patriotike u zhgënjye – u zhgënjye, që kjo “gjezdisje patriotike i shkoi huq – i shkoi…, që i doli pushka huq – i doli huq që kur andejpari u duk me atë veshjen e tij prej orientali, u duk!” që diku në ato anë nuk u takua me Ramushin, nuk u takua, sepse ky i fundit, prej ditës që është bërë “shehërli a kasabali”, që prej ditës qe e ka humbur ndjenjën e të qenit katundar fisnik, sikur e ka flakur atë pasurinë shpirtërore shqiptare, siç është mikpritja bujare
Nga Fadil LUSHI
Ky vëllai im i madh nuk e di se ç’më “pandeh për budalla”. Sa herë që bëj shkarravinat për “meseletë” tona të bukura, dehumane dhe ca të tjera edhe të rreme, aq herë më flet me paragjykim. Një ditë më tha: “Shiko, ti qerrata, mos e bëj muhabetin a shkrimin veresie, sepse, lëre që s’të dëgjon dot njeri, por edhe nuk ta lexojnë si të tillë, në veçanti lexuesit e tu të rregullt te të cilët ke ndërtuar emër. Nëse do e bësh, bëje me tamam dhe, nëse do e ndërtosh, fillimisht do të duhet të heqësh mënjanë atë egon tënde, duhet paksa ta mposhtësh unin tënd profesional, sepse e gjithë kjo nuk të nderon as ty e as ata që duan të lexojnë shkrime cilësore dhe pa tarafe!?” Në fund ramë në ujdi, ndërtuam “marrëveshjen e ashtuquajtur tavë turli!”, gjysmën e shkrimit do ta bëj siç dua unë dhe gjysmën tjetër sipas qejfit të tij. I premtova se do të shkruaj për kryeministrin tonë shumë të dashur…, për Edvin Kristaq Ramën, për “vezirin e shqiptarëve”, i cili njihet për stilin e tij të veçantë në të veshur, për stilin e tij të fryrë e të ngatërruar, për stilin e tij prej oksidentali dhe herë-herë edhe prej orientali, për kostumin e tij gjysmë-burrash e tjetra gjysmë-grash, për “kostumin prej myzeqari dhe mirditasi”, do të shkruaj për “gërshërët e rrobaqepësit të tij”, do të shkruaj për “pantallonat treçerekëshe dhe për çorapet e tij të gjata deri pak poshtë gjurit”, për piktorin e merituar, i cili ditë më parë, “bëri atë gjezdisjen patriotike” diku te “TAVUK BAHÇE-ja” e Prishtinës, kishte vajtur në Kosovë, për të vizituar “kullat e shpëtimtarëve a çlirimtarëve të Kosovës!”, shkoi të takohet me disa politikanë të cilët ka kohë që janë strehuar a mbyllur te kullat e ndërtuara prej fildishi…, te kullat që rrezikojnë të shemben, vajti në kryeqendrën e kosovarëve që të takohet me të gjithë njerëzit që kanë “hise në shtrembërimin” e imazhit të Kosovës, me të gjithë ata që edhe pas kushedi sa vitesh mëvetësi të vendit, lëre që nuk u morën vesh mes vete, por edhe e shëmtuan edhe atë pak…!, do të shkruaj për “gjezdisjen” e tij të paradokohshme, për shëtitjen e tij, që nga disa politikanë që hiqen si “namusqar”, u karakterizua njësoj si ajo puna e fukarait, i cili sa herë që kërkon lëmoshë, aq herë detyrohet të trokasë në dyer të hapura, u karakterizua njësoj si ajo ndodhia a rrëfimi i gocës së përkëdhelur jashtë mase, që kur i vonohen “ato!”, apo kur ka probleme me ciklin mujor, aq herë vetvetes i parashtron pyetjen: “…, ku dhe në ç’kohë gabova me çunin…, ishte sabah a aksham…, a mos gabova te livadhi i katundit me lule a te apartamenti i gjyshes NN!”. E gjithë kjo bredhje poshtë e lart e tij, sikur me e pa hir, trazoi “dynjanë” e njerëzve që njihen me shpirtngushtësinë e tyre provinciale, të tjerëve që njihen me “tarafllëqet” e tyre të tepruara, “dynjanë” e njerëzve që punët i kanë në “terezi”, sikur detyroi gjithë kosovarët të flisnin për të, ca mirë e ca keq, ca e lavdëruan e të tjerë e paragjykuan deri në atë “derexhe” sa që nuk lan gjë pa i thënë…, sikur opinionbërësit me “tarafe” i zgjoi nga gjumi, sikur ashtu pa hiri ua ngatërroi dhe ua prishi “fiqiret”. Ky “kryeministri i shqiptarëve të Gadishullit Ilirik” që kur doli këtejpari gardhit tonë, ky “veziri ynë” me shikim prej aristokrati, sikur kishte vajtur të “lagë këmbët në Detin e Kosovës!?”, sikur kishte shkuar që politikanëve të inatosur kosovarë t’u japë “nasihate nga ABC-ja e moderuar dhe paksa e nëpërkëmbur politike”, sikur toptan të gjithëve do t’u thoshte, ashtu troç: “Ju vëllezër të mi të (pa)dëgjueshëm, mos bëni muhabetin veresie”…, sikur kishte “degdisë” në kryeqendrën e Kosovës që politikanëve kosovarë t’ua këndojë nga e prapa, refrenin e këngës: “XHAMADANI VIJA VIJA/O ËSHTË KOSOVA/ O ËSHTË SHQIPNIA/ RREH SI ZEMËR ÇIFTELIA/O SA E MADHE/O ËSHTË SHQIPNIA!?”, sikur kishte “degdisë” në Prishtinë të bëjë “ziarete” e t’u thotë prishtinasve: “Mos ma hidhëroni Brukselin toptan me Europën prej rospie…, mos ma zhgënjeni për dynja e ahiret agë babën Amerikë…, dhe pak Vuçiqin!?”, sikur u kishte thënë: “Nëse do futeni në valle, hidheni siç bie daullja a lodra, hiqni mendjen nga vallja e vjetër…, nga ajo vallja e papërpunuar, sepse po nuk e bëtë si ju them unë, atëherë nuk do të dilni kollaj nga aty, dhe në një të ardhme të afërt, do të detyroheni të lani leshin prej arapi mu aty te përroi i vogël i Prishtinës!?”
Që “veziri” ynë me “çitjane” nga kjo gjezdisje patriotike u zhgënjye – u zhgënjye, që kjo “gjezdisje patriotike i shkoi huq – i shkoi…, që i doli pushka huq – i doli huq që kur andejpari u duk me atë veshjen e tij prej orientali, u duk!” që diku në ato anë nuk u takua me Ramushin, nuk u takua, sepse ky i fundit, prej ditës që është bërë “shehërli a kasabali”, që prej ditës qe e ka humbur ndjenjën e të qenit katundar fisnik, sikur e ka flakur atë pasurinë shpirtërore shqiptare, siç është mikpritja bujare, ky luftëtari nga Gllogjani prej ditës që është “shndërruar në djalë allafrënga!” sikur i ka hyrë “vetja në qejf!” dhe ditën kur duhej t’ia hapte derën vëllait nga Tirana, sikur tha: “Nëse veziri me pantallona treçerekëshe ka ardhur t’i bëjë ziaret Hashimin dhe Kadriun, atëherë le të shkojë të ulet në sofrën e tyre, sepse në tryezën time nuk ka as bukë, as kripë e as edhe zemër!” Mbase kishte të drejtë! Ku ta di njeriu…, siç ndoshta kishte të drejtë edhe “veziri” ynë me kostum të veçantë, që kur ishte hidhëruar me njerëzit që në mënyrë të padrejtë futën hundët në jetën intime të tij, sikur u tha: “Ç’interes keni ju të më thoni se ç’brekë do t’i vesh bythës sime, se ç’ngjyrë do të kenë çorapet e mia, tekefundit kjo është përzgjedhja ime!”, njësoj siç kishte të drejtë ushtari i UÇK-së me paterica, kur e mallkoi rëndë dhe me gjithë shpirt Millosheviqin: “Të rëntë damllaja mu aty ku prehen koqet e tua, ato që dikur të bënin për pederast, që sot janë shndërruar në dëshmorë të lirisë të Serbisë!”
Vëlla i dashur! Më ndje, nëse këtë shkrim e shndërrova në “TAVË TURLI!”. (koha.mk)