Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet në Kosovë të qeta, por me shumë mangësi

Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle, në një konferencë për mediat tha se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të qeta, dhe se votuesve u janë dhënë informacione mbi subjektet e ndryshme politike

58

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, që u mbajtën më 11 qershor, ishin me të vërtetë konkurruese dhe të qeta në pjesën më të madhe të vendit, por ka pasur edhe mangësi të tilla si lista të pasakta të votuesve, mangësi në sistemin e votimit jashtë Kosovës, dhe frikësim të komunitetit serb, është vlerësimi paraprak i Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle, në një konferencë për mediat tha se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të qeta, dhe se votuesve u janë dhënë informacione mbi subjektet e ndryshme politike. Megjithatë, shtoi ai, listat e pasakta të votuesve kanë pasur një ndikim negativ, sepse ata ishin të pambrojtur nga “manipulimi, ndërkohë që sistemi i votimit jashtë Kosovës ka pasur shumë mangësi”.

“Këto çështje kërkojnë vullnet dhe angazhim politik në mënyrë që të zbatohen reformat e nevojshme zgjedhore. Në pjesët e Kosovës ku serbët janë shumicë, procesi zgjedhor u pengua përmes frikësimit brenda komunitetit në raport me kandidatët dhe votuesit. Lidhur me incidentet kishte mungesë të reagimit të duhur nga ana e prokurorit dhe policisë që hedh dyshimin për besueshmërinë e procesit demokratik në këto fusha”, tha Peterle. Ai tha më tej se përveç në zonat me shumicë të popullsisë serbe, fushata zgjedhore ka qenë e qetë, njëjtë edhe dita e zgjedhjeve që ka kaluar qetë pa incidente të mëdha, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Sipas tij, Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka punuar në mënyrë transparente, por se ka pasur vonesa në sjelljen e vendimeve, ndërkohë që mediat në përgjithësi kanë raportuar në mënyrë të balancuar, ndërsa Komisioni i Pavarur për Mediat ka qenë pasiv. Udhëheqësi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Igor Sholtes, mbështeti deklaratën e Misionit vëzhgues të BE-së. Ai vuri në dukje se është dashur të punohet më shumë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve nga zgjedhjet e vitit 2014, për shkak, se siç tha, efektet janë ndjerë në listat e zgjedhësve, votimin jashtë vendit, transparencën në financimin e fushatës së subjekteve politike dhe për të siguruar mosndërhyrjen e institucioneve publike dhe shtetërore.

“Dua të theksoj edhe një pyetje, e cila lidhet me frikësimin dhe presionin mbi votuesit në disa pjesë të vendit, që nuk duhet injoruar. Kjo është e papranueshme në një fushatë elektorale dhe ne shpresojmë se do të merren masa të duhura që kjo të mos përsëritet në zgjedhjet e ardhshme në fund të vitit (zgjedhjet lokale)”, tha Sholtes. Misioni i BE-së kishte shpërndarë rreth 100 vëzhgues në gjithë Kosovën, që vinin nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra. Misioni do të mbetet në Kosovë për të monitoruar procesin në Qendrën për numërim dhe rezultate, si dhe do të monitorojë procesin e zgjidhjes së ankesave dhe parashtresave deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Comments are closed.