Qefser ABDYLI
Shkup, 8 prill – Maqedonia edhe pse ka më shumë se një vit qe e ka fituar autorizimin për të eksportuar vezë në vendet e BE-së, shumë pak e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Sipas fermerëve, arsyeja për shfrytëzimin e dobët të lejes për eksport është prodhimi i ulur i vezëve në periudhën e kaluar, shkruan gazeta KOHA. “Kur kishim vezë të tepërta, nuk shiteshin vezët e Maqedonisë në vendet evropiane, sepse me vite pritej procedura për miratimin e eksportit. Tani kur e kemi lejen, nuk kemi vezë të mjaftueshme për nevojat tona”, ka njoftuar Shoqata e fermerëve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë. Të dhënat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë tregojnë se prej vendeve evropiane, Maqedonia ka eksportuar vezë vetëm në Bullgari, ndërsa në vendet të cilat nuk janë anëtare të BE-së, vetëm në Kosovë dhe në Afganistan. “Nga fillimi i vitit deri më tani, janë eksportuar gjithsej 394.280 vezë në tregjet e Bullgarisë dhe në Kosovë. Nga kjo masë, 176.400 vezë në tregun bullgar, ndërsa 217.880 në tregun kosovar. Vjet nga Maqedonia në tregjet e vendeve fqinje, Republikën e Kosovës, Bullgari dhe në Afganistan, janë eksportuar gjithsej 1,3 milionë vezë nga të cilët më shumë në Kosovë”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Rregullorja me të cilën Maqedonisë i lejohet që të eksportojë vezë në vendet e BE-së është në fuqi prej 5 janarit të vitit 2016. Miratimi është marrë prej kur fermerët e Maqedonisë me muaj kanë qenë nën vëzhgimin e inspektorëve evropian për ushqim. Në rregulloren shkruan se ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është vendosur në listën e vendeve të treta nga të cilët vezë konsumuese mund të importohen në vendet e BE-së, por dhe të kalojnë transit nëpërmjet këtyre vendeve. Me lejen për eksport janë publikuar dhe etiketat me të cilat vezët nga Maqedonia do të eksportohen në vendet evropiane. Në autorizimin për eksport nga BE qëndron se Maqedonia ka program të kontrollit të salmonelës në vezë dhe ka plan të miratuar për vëzhgimin e mbetjeve në vezë. Sipas fermerëve të Maqedonisë, BE-ja kërkon prodhuesit e vezëve t’i zbatojnë rekomandimet për siguri të ushqimit nga BE. Vezët të cilët do të shiten në tregjet e BE-së duhet të jenë nga pula që mbahen në ferma bashkëkohore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara