Aksioni për largimin e automjeteve të braktisura do të vazhdoj edhe në të ardhmen, nga ku do të bëhet detektimi i tyre nëpër qytet dhe më pastaj do të vazhdohet me zbatueshmërinë e masës për largimin e tyre nga ana e autoriteteve komunale, pohojnë nga Komuna e Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 27 nëntor – Në shumë lagje dhe rrugë të Tetovës vërehen vetura dhe automjete të tjera si kamionë dhe minikamionë, të cilët me vite të tëra qëndrojnë nëpër hapësira publike. Në disa vende është e pamundur të qarkullohet pikërisht nga këto automjete, të cilat janë lënë në trotuare dhe vende të papërshtatshme me vite të tëra. Në këtë drejtim, Sektori për punë të brendshme Tetovë, në koordinim me vetëqeverisjen lokale të Tetovës dhe Gostivarit, ka filluar me aktivitetet për largimin e veturave të vjetra dhe të braktisura nëpër hapësirat e trafikut në Tetovë dhe Gostivar. Këto vetura janë lënë nëpër trotuare, rrugë nga ana e pronarëve, shkruan gazeta KOHA.
Të njëjtat në shumë raste pamundësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve, kurse nga policia kanë bërë të ditur se nëse nuk largohen në kohë nga pronarët, atëherë do të merren nga shërbimi komunal i merimangës. “Në fazën e parë të këtyre aktiviteteve, në të gjitha veturat e këtilla janë duke u vendosur afishe informuese me shkrim, me të cilat kërkohet që në afat prej tre ditësh, pronarët e veturave ti largojnë dhe të lirojnë hapësirat e bllokuara me veturat që nuk janë funksionale. Në qoftë se, nuk veprojnë sipas njoftimit të realizuar, sipas nenit 63 të Ligjit për siguri në komunikacion dhe rrugë, këto vetura do të ngriten dhe largohen nga shërbimi komunal i “karotrecit” dhe do të dërgohen në lokacion adekuat, ndërsa pronarët për këtë shërbim do të duhet të paguajnë shërbimin e caktuar”, tha zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se janë lokalizuar 17 automjete të braktisura. “Deri tash kemi lokalizuar 17 automjete, të cilat në afat prej 3 ditësh, nëse nuk largohen prej pronarëve të tyre, nga ana e Komunës do largohen me karrotrec dhe do ngritët procedurë penale ndaj pronarëve nga inspektorët Komunal. Aksioni i përbashkët do vazhdojë edhe në javën e ardhshme”, njoftuan nga komuna e Tetovës.
Në këtë drejtim, pushteti lokal në Tetovë thotë se u ka shpallur luftë uzurpuesve të pronës publike. “Aksioni për largimin e automjeteve të braktisura do të vazhdojë edhe në të ardhmen, nga ku do të bëhet detektimi i tyre nëpër qytet, dhe më pastaj do të vazhdohet me zbatueshmërinë e masës për largimin e tyre nga ana e autoriteteve komunale”, pohojnë nga Komuna e Tetovës.
Nga ana e policisë kanë bërë të ditur se janë paraparë edhe gjoba ndaj pronarëve.“Krahas kësaj, pronarëve të veturave do t’ju përgatiten edhe fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje me gjobë prej 45 euro. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është që t`ju ofrohet lëvizje të lirë dhe të sigurt këmbësorëve dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, posaçërisht në afërsi të shkollave dhe objekteve tjera publike” pohojnë nga policia e Tetovës.
Fillimisht do të largohen veturat që e pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve në afërsi të shkollave. Qëllimi, sipas policisë, është që të sigurohet qarkullimi i lirë nëpër trotuare dhe hapësira publike. Ndërkaq, Komuna e Tetovës paralajmëron të gjithë shitësit ambulant, që kryejnë veprimtari në hapësira publike, se ky aksion nuk do të jetë i natyrës ekspeditive, dhe i njëjti do të implementohet në vazhdimësi, deri në vendosjen definitive të rendit publik, kurse për personat të cilët nuk do ta respektojnë këtë vendim në praktikë, nuk do të ketë aspak tolerancë, dhe për të njëjtit do të pasojnë sanksione dhe gjoba rigoroze. Automjetet e braktisura janë vërejtur edhe pranë institucioneve të ndryshme në Tetovë. (koha.mk)