Urim HASIPI
Tetovë, 12 shtator – Pesë automjete nga të cilat katër në Tetovë dhe një në Gostivar janë dëmtuar si pasojë e stuhisë së pasur me erëra të forta dhe shi të madh, që të shtunën pasdite përfshiu rajonin e Pollogut, por edhe shumë qytete tjera të vendit, shkruan gazeta KOHA. Zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski, thotë se sipas raporteve të cilat deri te policia i kanë paraqitur qytetarët, një veturë është dëmtuar në rrugën Dimo Gavroski-Kara në Tetovë pas erës së fortë ku është çrrënjosur një dru i cili më pas ka rënë mbi veturë. Dy vetura tjera janë dëmtuar në lagjen Shipad, pasi që mbi ato ka rënë një çati, ndërsa një veturë tjetër është dëmtuar në rrugën e “Lubotenit”, pasi që era e fortë ka ngritur në ajër rreth nëntëdhjetë tulla të cilat më pas janë përplasur në veturë. Në Banjicën e Poshtme të Gostivarit është dëmtuar një veturë e tipit “Pezho 206” pronë e 26 vjeçarit qytetarë i këtij vendbanimi i cili përderisa ka qenë në lëvizje me veturën e tij mbi veturë kanë rrënë disa pjesë metalike të cilat kanë qenë të lëna në rrugë dhe janë ngritur në ajër nga era e fortë. Dëmi i shkaktuar material në këtë rast llogaritet të jetë rreth 30 mijë denarë tha Josifovski. Poashtu sipas raportimeve të ndryshme në më shumë rrugë regjionale ka patur shumë dru të shkulur nga era e fuqishme që kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve sidomos në rrugën regjionale për në Negotinë të komunës së Vrapçishtit. Ndërkaq, nuk është raportuar për persona të lënduar. Krahas kësaj poashtu janë raportuar edhe dëme në pullazet e shumë shtëpive në rrethinën e Tetovës dhe më gjerë si pasojë e erës së fuqishme. Ende nuk ndonjë raport nga komisionet për vlerësimin e dëmeve në rajonin më të gjerë të Tetovës.
Ndërkaq, zjarrfikësit e Kumanovës kanë intervenuar në pastrimin e rrugës, për shkak të rënies së pemëve në rrugën 11 Nëntori” në lagjen Bedinje. Pemët kanë rënë për shkak të erës së fuqishme dhe motit të ligë të përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe zbrazje të fuqishme elektrike që dje pasdite e përfshiu Kumanovën. Zjarrfikësit pas orës 20:00 kanë nxjerrë edhe ujë nga shtëpia e vërshuar në rrugën “Car Samuil”. Komandanti i NJZ Kumanovë Dejan Ilievski informoi se pas orës 14:00 kanë intervenuar në shtatë zjarre të ndryshme në fshatra dhe vendbanime të ndryshme në Kumanovë. “Në përgjithësi, për të gjitha zjarret është karakteristike që era e fuqishme i ka shkaktuar zjarret, duke bërë masë elektrike”, deklaroi Ilievski. Njëri prej zjarreve më të mëdhenj gjatë ditës së shtunë është në qarkun e Bajllovcë, ku është djegur pylli me bimësi të shkurtër të degraduar, por edhe pylli me pisha. Dy ekipe të zjarrfikësve e kanë shuar zjarrin deri në orën 22:30. Pyll me bimësi të shkurtër të hënën është djegur edhe në pjesën e Skaçkovcës, te “Stacioni hekurudhor” si dhe në fshatrat Kshanjë, Rugjincë dhe Obllavcë. (koha.mk)