Sebastian Vettel ka ngritur zërin dhe ka kërkuar që Ferrari të jetë një makinë më e shpejtë në pistë, për të pretenduar titullin kampion në Formula 1 vitin e ardhshëm. Në të kundërt, rinovimi i kontratës që skadon në fund të 2017-ës mund të kthehet në një ngërç mes “kokëkuqes” dhe pilotit gjerman, 4 herë kampion bote, por që me Ferrarin ka çaluar. Këtë sezon rezultati ishte shumë larg pritshmërisë që kishte makina italiane, duke zhgënjyer në pistë dhe humbur ndjeshëm terren me rivalët ne pjesën e dytë të sezonit. “Sigurisht që jemi të zhgënjyer, pasi nuk morëm atë që pretendonim dhe dështuam para fansave tanë. Nuk arritëm asnjë fitore, ky është një rezultat negativ”, tha Vettel. Piloti gjerman shpreson se me ndryshimet e bëra në organikë të arrihet një rezultat tjetër gjatë vitit të ardhshëm. “Unë shpresoj shumë që sezoni i ardhshëm të jetë ndryshe, më i mirë, pasi nuk mund të zhgënjejnë sërish. Ferrari u bë vite që nuk arrin të fitojë një trofe dhe kjo ndikon shumë te tifozët. Nuk mund t’i zhgënjejmë sërish. Edhe personalisht e dëshiroj shumë një ndryshim të madh, pasi dua të fitoj një tjetër titull”, tha Vettel, që në lidhje me rinovimin e kontratës, shtoi: “Të shohim, ka kohë, por gjithçka varet edhe nga rezultatet. Unë besoj se puna që do të bëjmë gjatë këtyre muajve do të jetë e mirë”, tha piloti gjerman.