Koha dhe fati duket se tashmë i janë vënë kundër Sebastian Vettel, në luftën e tij për titullin e kampionit të botës. Në tentativën për të rikuperuar diferencën prej 28 pikësh me Hamilton, gjermani nuk po arrin të konkurrojë dot në pistë. Ndërrimi i motorit ka kërkuar më shumë kohë se ç’duhet dhe mekanikët nuk mund ta zbrisnin në pistë në kohën e duhur, duke bërë që gjermani të niset nga vendi i fundit nesër.
“Mos u mërzisni djema, bëjeni gati për nesër. Jemi të shpejtë dhe do të rikthehemi”, u shpreh Vettel në komunikimin e tij në radio me skuadrën.
Ndërkohë, Lewis Hamilton do të niset nga vendi i parë në Çmimin e Madh të Malajzisë, duke arritur kështu 70 “pole position” në karrierë.
Piloti britanik i Mercedesit la pas Kimi Raikkonen me Ferrari dhe Max Verstappen me Red Bull.