Veton Surroi tregon sa afër është marrëveshja LVV-LDK

Publicisti Veton Surroi ka dhënë një parashikim lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në kohën kur bisedimet mes krerëve të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për arritjen e një marrëveshje janë ndërprerë dhe komunikimi mes këtyre dy subjekteve politike po zhvillohet përmes letërkëmbimit, edhe gjasat për bashkëqeverisje mes dy partive po shihen si të vogla.

Mirëpo, analistë dhe opinionistë vlerësojnë se ende ka vend për të shpresuar në marrëveshje.

Analisti dhe publicisti, Veton Surroi, përmes një postimi në facebook thotë se “Marrëveshja e koalicionit mes LVV dhe LDK është më afër se ç’mendohet dhe më larg se ç’duhet të jetë”.

Pavarësisht se gjatë javës që po lëmë pas nuk pati takime mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nuk ka munguar komunikimi përmes letrave, në të cilat dy subjektet politike kanë paraqitur qëndrimet e tyre kontradiktore lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes, shkruan Telegrafi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të premten ka folur lidhur me negociatat mes tij dhe Isa Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës për një koalicion të mundshëm bashkëqeverisës.

Kurti ka thënë se janë afër marrëveshjes me LDK-në.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë për media ka thënë se shpreson që do të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me LVV-në.

Mungesa e arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet dy partive, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të nënshkruajë vendimin që Albin Kurti të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha sot se tashmë ka të nënshkruar vendimin për mandatimin e Kurtit dhe bëri thirrje që partitë të respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Për hir të korrektësisë, ju e dini letrat që i kam dërguar dhe ftesat kryetarit të partisë të parë në Kosovë aktualisht, që të marrë, siç e do rendi dhe përgjegjësia politike dhe qytetare, edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë. Takimi ynë që ka qenë në zyrën time ka qenë një takim i një vullneti të mirë. Por, në të njëjtën kohë, dua të shpresoj dhe e them përsëri që të mos vazhdon të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për kryeministër. Kështu që nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston dhe është në tavolinën time”, tha Thaçi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti më 6 janar është takuar me presidentin Hashim Thaçi, por gjatë këtij takimi ai nuk i ka ofruar emrin e të nominuarit të subjektit të tij për mandatar për kryeministër.

Vetëvendosje si parti e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se emrin e mandatarit do t’ia dërgojë presidentit me kohë.