Nëse ndonjëherë zbatohet vetingu në vendin tonë, atëherë duhet të fillohet me mbylljen e kanaleve për hyrje të kuadrove partiake dhe të pa aftë në gjyqësor. në ndërkohë, ekspertët marrin shembull vetingun në Shqipëri
Omer XHAFERI
Shkup, 26 shkurt – Vetingu shumë i përmendur dhe ndër vite i paralajmëruar në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, është një flluskë boshe për të hutuar publikun. Ky vlerësim është i njohësve të zhvillimeve në sistemin e drejtësisë në vend, të cilët theksojnë se deri më tash është përmendur zgjedhja e përgjithshme e gjykatësve, pastaj vetingu, më pas pastrimi i gjykatësve dhe së fundmi – në prag të zgjedhjeve, përsëri po aktualizohet tema e vetingut. Megjithatë, asgjë konkrete deri më sot nuk është bërë. Gazetari hulumtues Vasko Magleshov, i cili nga afër i ndjek zhvillimet në gjyqësor dhe prokurori, për gazetën KOHA, thotë se gjithmonë flitet për veting në gjyqësor para fushatës zgjedhore, ndërsa kjo nënkupton se çështja e drejtësisë vendoset në centrifugë të propagandës politike.
“Askush nuk e pengoi pushtetin që gjatë tre viteve të kaluara të realizoj vetingun. Por ne pamë një situatë plotësisht të ndryshme. Këshilli Gjyqësor, i cili është organi i vetëm i cili zgjedh dhe shkarkon gjykatës, edhe në këtë pushtet vazhdoi të mbushet me kuadro të cilët para se të bëhet anëtar të Këshillit, kanë qenë në institucionet shtetërore me propozim të partive. Kështu për shembull janë propozimet e partive në pushtet. Shikoni si kanë punuar ato kuadro para se të bëhen anëtar të Këshillit dhe me propozim të kujt janë zgjedhur. Për çfarë ventingu për flasim? Pra, falë lojërave politike, Këshilli Gjyqësor mezi arrit ta shkarkoj Jovo Vangellovskin. Meqë trupi i cili zgjedh gjykatësi është i kalbur, çfarë kuadro presim të zgjedhën”, thotë Magleshov. Mes tjerash, ai shton se nëse ndonjëherë zbatohet vetingu, atëherë duhet të fillohet me atë që do të mbyllen kanalet për hyrje të kuadrove partiak dhe të paaftë në gjyqësor. Për dallim nga krerët e gjyqësorit (Këshilli i Prokurorëve Publik dhe Këshilli Gjyqësor) të cilët kohë më parë u shprehën se kontrolli i gjykatësve dhe prokurorëve duhet të bëhet në kuadër të ligjeve dhe institucioneve ekzistuese, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, në deklaratën e tij të fundit u shpreh se për realizimin e vetingut, është e nevojshme ndihma e ekspertëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i tij është se këtë proces më mirë është ta menaxhoj ndonjë ekspert i huaj.
Ngjashëm si presidenti Pendarovski, mendon edhe ish-anëtari i Këshilli të Prokurorëve, Miralem Asani, i cili për gazetën KOHA, thekson se ne nuk mund të bëjmë veting vet, jo për shkak të mungesës së kapaciteteve, por për arsyet të ndikimit dhe kanosjes politike ndaj atij Komisioni i cili do ta realizoj ventingun. “Imperativ i kohës është që në gjyqësor, përfshi edhe prokurorinë, policinë si dhe në të gjitha institucionet në Maqedoninë e Veriut, të realizohet vetingu. Keqpërdorime dhe korrupsion nuk kemi vetëm në gjyqësi dhe prokurori, por kjo çështje është akoma me e theksuar edhe në organet tjera. Sidomos te strukturat e tenderimit dhe prokurorimit publik. Një gjë të tillë nuk mund ta bëj vetë shteti. Shembull është Shqipëria, ku vetingu mbështetet nga SHBA, Gjermania dhe Italia. Në Maqedoninë e Veriut gjithçka është deklarative. Duke filluar nga reformat, të cilët vazhdimisht janë përmendur, mirëpo ata kanë qenë vetëm deklarative. Akoma nuk kam vërejtur sinqeritet te ndonjë politikan në një reformë, në zgjidhjen e një çështjeje ose eliminimit të një fenomeni negativ”, thotë Asani.
Ndryshe, për herë të parë nevoja për veting në Maqedoninë e Veriut, u përmend në vitin 2015, kur opozita e atëhershme e kryesuar nga LSDM, filloi me publikimin e aferës së “bombave”, të cilat për një kohë të gjatë nuk u shqyrtuan, e as u hetuan nga organet hetuese të prokurorisë dhe policisë. Brenda pesë viteve të kaluar deklaratat dhe premtimet se një proces i tillë është i patjetërsueshëm për sistemin e drejtësisë në vend kanë qenë të panumërta. Por, ata deri më sot kanë mbetur vetëm deklarata. (koha.mk)