Në vendin tonë duhet të vërtetohet se cila do të jetë baza e vetingut, gjegjësisht ende nuk është caktuar se vallë baza e vetingut (verifikimit) në gjyqësor do të jetë ndikimi politik, lidhja me strukturat kriminale apo me interesat e biznesit
Omer XHAFERI
Shkup, 26 nëntor – Procesin e vetingut (verifikimit), në sistemin e drejtësisë, në Maqedoninë e Veriut, duhet ta bëjnë përfaqësuesit aktual të sistemit gjyqësor, apo këtë kjo procedurë duhet të zhvillohet nga një organ ndërkombëtar. Kjo është dilema e cila periudhës së fundit po diskutohet në vendin tonë dhe e cila ende nuk është sqaruar. Profesori universitar, Bashkimi Selmani, duke folur rreth kësaj çështjeje, për gazetën KOHA, thotë se është e mirë që i gjithë procesi i vetingut të bëhet nga organi i veçantë ndërkombëtar dhe nga këshilltar të brendshëm juridik, të cilët kanë përvojë dhe janë figura të pastërta në Maqedoninë e Veriut.
“Problemi real në Maqedoninë e Veriut është largimi i politikës dhe politikanëve në qasjen e së drejtës, ose në funksionimin e gjyqësorit. Këtu është problemi. Për dallim nga ne, Shqipëria ka rrethana tjera. Duhet të kërkohet një shkëputje reale e politikës nga gjyqësori. Mendoj se nuk duhet vetëm të bëhet vetingu i figurave të pastërta, por edhe të kërkohet përgjegjësi. Prandaj organi ndërkombëtar ka mundësi të kërkoj edhe përgjegjësi për mbulimin e krimeve që realisht janë të shumta. Procesi i vetingut në Maqedoninë e Veriut është i detyrueshëm, pasi që sistem gjyqësor tek ne ka kapitulluar për momentin nga ana e politikës. Si qeveria e kaluar edhe ajo aktuale vazhdojnë ta mbikëqyrin dhe kontrollojnë sistemin gjyqësor”, thotë profesori Selmani.
Tema e vetingut në gjyqësor në vendin tonë u aktualizua në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, të zhvilluara në vitin 2016. Debatin rreth kësaj pike e hapi kryeministri aktual Zoran Zaev, megjithatë ai pas ardhjes në pushtet, me arsyetimin se Bashkimi Evropian nuk jep drite jeshile për një proces të tillë, tashmë e tre vite nuk ndërmori asgjë. Njohësi i zhvillimeve në gjyqësor, Zharko Haxhi Zafirov, nga Qendra për hulumtime juridike dhe analiza, për gazetën KOHA, thekson se ekzistojnë tre modele të realizimit të procesit të ventingut, respektivisht siç njoftoi ai Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, së fundmi ka paralajmëruar se Komisioni anti- korrupsion, duhet të filloj me realizimin e vetingut të butë.
“Për të vendosur për një model duhet të bisedohet, të ketë debat të gjerë, të vërtetohen se çka është më e përshtatshme. Duhet të merret parasysh Kushtetuta. Modelet janë ato që njëri kryesisht të jetë në kuadër të gjyqësorit, tjetrit të jetë i përzier me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, nga sektori jo qeveritar dhe opinionin i profesionistëve dhe i treti i jetë i përzier me ekspertë ndërkombëtar.Para se të fillon procesi i vetingut tek ne doemos të ketë konsultime të gjëra, sidomos me gjykatësit. Kritikat dhe vërejtjet për paanshmëri dhe jo transparencë, varen prej vërtetimit të saktë se cilat do të jenë kushtet dhe indikatorët, gjegjësisht nëse e bëjmë qe mekanizmi të jetë i mirë, transparent dhe efikas nuk do t’i kemi këto ankesa. Gjithçka varet nga mënyra se si do të planifikohet procesi”, tha Haxhi Zafirov.
Ai, mes tjerash shton se në vendin tonë duhet vërtetohet se cila do të jetë baza e vetingut, gjegjësisht Haxhi Zafirov, shton se në Maqedoninë e Veriut, ende nuk është caktuar se vallë baza e vetingut (verifikimit) në gjyqësor do të jetë ndikimi politik, lidhja me strukturat kriminale apo me interesat e biznesit, kështu me radhë.
“Tek ne askush nuk flet për çka do të jetë baza. Derisa gjykatësit nuk e thonë mendimin e tyre, as un nuk mund të flas se cila duhet të jetë baza e vetingut në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht prej nga ndihet më tepër presioni. Dhe kështu të shohim se ku duhet të zgjidhet problemi. Ne i shohim simptomat, por nuk i dimë arsyet”, thotë Haxhi Zafirov.
Ndryshe, përderisa kryeministri Zoran Zaev, është shprehur i brengosur se procesi i vetingut në gjyqësor mund të zvogëlojë apo përgjysmojë numrin e gjykatësve dhe prokurorëve, partneri i tij i koalicionit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk u tregua shumë i shqetësuar rreth kësaj çështje, por vetëm shtoi se ata gjykatës apo prokurorë të cilët nuk e kalojnë procesin e vetingut, nuk meritojnë të jenë përfaqësues të gjyqësorit. (koha.mk)