Komisionet për zbatimin e vetingut në polici janë formuar dhe se punohet në hartimin e rregulloreve dhe akteve nënligjore, të cilat së shpejti pritet të dërgohen për miratim në Qeveri. Nga MPB-ja thonë se hapi radhës është fillimi i zbatimit të vetingut, i cili do ti përfshijë të gjithë të punësuarit në shërbimin sekret
Destan JONUZI
Shkup, 11 korrik – Vetingu në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) do të zbatohet edhe tek ata të cilët do të paraqiten në konkurs, por edhe te ata të cilët tashmë janë pjesë e DKS-së, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga atje informojnë se komisionet janë formuar dhe se duhet të punohet në hartimin e rregulloreve dhe akteve nënligjore, ndërsa shtojnë se Vetingu do të zbatohet për të gjithë të punësuarit në DSK, shkruan gazeta KOHA.
“Vetingu do të zbatohet në aspekt të integritetit personal të punësuarave, mënyrën se si i janë qasur ata punës në Drejtori, niveli i arsimit të tyre, avancimi i tyre në shërbim etj, dhe në bazë të këtyre parametrave dhe aspekteve – do të merren vendimet. Është me rëndësi që Agjencia të jetë moderne, efikase, të mbrojë sigurinë kombëtare dhe në asnjë rast të mos jetë Agjenci, e cila do të prodhojë kriza të reja politike dhe shqetësime te qytetarët”, thonë nga MPB-ja. Nga MPB-ja paralajmërojnë se së shpejti Rregullorja e re dhe aktet nënligjore të Agjencisë së re për Siguri Kombëtare do të dorëzohet në Qeveri, dhe se hapi i radhës është fillimi i procesit të vetingut që do ti përfshijë të gjithë të punësuarit në shërbimet sekrete.
Ish-kryeparlamentari Stojan Andov vlerëson se shërbimi sekret në të kaluarën ka qenë një pengesë e madhe për demokratizimin e shoqërisë sonë, andaj sipas tij, vetingu është një mundësi e mirë për demokratizimin e këtij shërbimi policor. “Shërbimet sekrete kanë qenë një pengesë e madhe për demokratizimin e shoqërisë sonë. Vetingu është një proces, i cili duhet të zbatohet doemos. Çështja është se sa do të arrihet që të pastrohet ky institucion. Vetingu është shumë i rëndësishëm për demokratizimin e këtij institucioni dhe qasjen e tij ndaj qytetarëve. Ne kemi shumë ligje të mira, por mungon zbatimi praktik. Puna është që ai të zbatohet dhe jo të bëhet vetëm sa për t’u quajtur veting”, deklaroi për gazetën KOHA, Andov.
Nga ana tjetër, Margarita Caca – Nikollova, ish gjykatëse të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, thotë se është mirë që ka filluar procesi i Vetingut në shërbimin sekret, edhe në rast se paraqiten probleme gjatë zbatimit përsëri duhet parë si një proces pozitiv. “Çdo aksion për filtrimin e strukturave të shërbimit sekret është pozitive dhe e mirëseardhur, jo vetëm për mënyra se si janë pasuar agjentët, por edhe për vepra tjera të cilat mund ti kenë kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Mendoj se Vetingu në një masë të madhe do të kthej besimin e humbur të qytetarëve ndaj këtij institucioni. Por sikur edhe vetëm 1 për qind të kthehet besimi ndaj DSK do të jetë mirë”, deklaroi për gazetën KOHA, Caca – Nikollova. Përndryshe, transformimi i DSK-së në Agjenci për Siguri Kombëtare (ASK), ka për qëllim që pas 28 viteve nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, qytetarët të mund të lirohen nga paragjykimet ndaj policisë sekrete dhe të mos përdoret emërtimi “Shërbimi Sekret”, që sipas drejtuesve të MPB-së është imponuar për shkak të koncentrimit të madh të fuqisë në këtë agjenci. Sipas projeksioneve të Qeverisë, transformimi duhet të bëhet më së voni deri më 1 qershor. (koha.mk)