Propozim-ligji i BDI-së për “Veting” dhe të gjitha propozimet tjera për këtë proces, sipas njohësve të zhvillimeve politike dhe gjyqësore në vend, më së shumti u ngjasojnë blofeve politike se sa ndonjë projekti serioz. Por megjithatë, ata thonë se deri në fund të vjeshtës, ky proces duhet të fillojë, ndërsa në gjyqësor detyrimisht duhet të zbatohet edhe i ashtuquajturi “Veting tranzitor”
Destan JONUZI
Shkup, 1 gusht – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) më së voni deri më 20 gusht të këtij viti duhet të formojë grupe pune, të cilat do të kenë për detyrë të hartojnë propozim-planin e masave për Veting në polici, si dhe aktivitetet dhe dinamikën e zbatimit të procesit i cili do të duhet që më së voni deri më 1 tetor të dorëzohet në Qeveri. Vetingu në MPB, siç ka theksuar ministri Oliver Spasovski, nevojitet të përforcohet integriteti i policëve dhe rezistenca e tyre ndaj çfarëdo qoftë ndikimi që janë në kundërshtim me ligjet. Sipas deklarimeve të tij, qëllimi është dekriminalizimi dhe departizimi i policisë, e cila do ta mbrojë interesin e qytetarëve dhe policëve, të cilët në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi do ta kryejnë detyrën e tyre, shkruan në numrin e sotëm gazeta KOHA.
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dalë me propozim-ligj për Veting me të cilin parashihet kontroll i të gjithë funksionarëve aktual, të presidentit të shtetit, anëtarëve të Këshillit të Komunës, Bordit Udhëheqës në ndërmarrje, ministrave, deputetëve, për edhe të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve, dhe të gjithë kandidatëve të propozuar për funksione publike. Ndërkaq, edhe kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka dalë me një propozim për reformat në drejtësi.
“Duke e vlerësuar me seriozitet të madh procesin reformues, me theks të veçantë ligjin e Prokurorisë Publike që ka propozuar Qeveria aktuale, si dhe duke pasur vërejtjet tona thelbësore për përmbajtjen e ligjit për prokurori publike dhe sistemit gjyqësor si tërësi, sot propozojmë iniciativën tonë që sa më shpejt të formohet një Komision shtetëror për reformat në sistemin juridik qoftë nga Parlamenti apo Kryetari i shtetit dhe atë: Në këtë komision të marrin pjese nga një përfaqësues ekspert të lëmisë në sferën juridike nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një përfaqësues të partive politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit, si dhe ekspertë dhe OJQ me ekspertizë nga sfera e sistemit juridik. Ky Komision do ketë për detyrë të ofrojë zgjidhje profesionale dhe efikase për reformën përfundimtare, të vëzhguar nga SHBA dhe BE. Nga konkluzionet e këtij komisioni duhet të rrjedhë edhe procesi i “VETTINGUT” në gjitha instancat e sistemit juridik”, ka propozuar Kasami. Edhe krerët e ASH-së disa herë kanë ripërsëritur që Vetingu fillimisht duhet të përfshijë sistemin e gjyqësor dhe më pas gjithë bartësit tjerë të funksioneve. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Vetingu duhet të fillojë nga funksionarët e pushtetit, kurse LSDM-ja e Zoran Zaevit i ka lënë të gjitha mundësitë e hapura lidhur me ketë proces.
Njohësit e rrethanave politike dhe të gjyqësorit thonë se ko që po ndodh në Maqedoninë e Veriut me këto propozime për “Veting”, më së shumti i ngjajnë një blofi politik se sa për ndonjë projekti serioz. “MPB-ja ka shpalua projekt për “Veting” në radhët e saj, ndërkaq ende nuk kemi nismë serioze për një proces të tillë në radhët gjyqësorit dhe prokurorisë. Ndërkaq BDI-ja ka proklamuar një ligj për që për opinioni ende nuk është e njohur përmbajtja e tij, edhe pse kapaciteti i tyre për të hartuar një ligj të tillë është shumë i dobët aq më tepër kur ata nuk kanë së pari kredibilitet për një gjë të tillë. Ky është një proces i ndjeshëm dhe kompleks dhe nuk mund të bëhet me blofe at hok me iniciativa sa për sy e faqe”, thotë Qenan Aliu, jurist.
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut edhe shumë kohë nuk do të shpërfaqet vullnet serioz nga protagonistët e politikës për këtë proces shumë të rëndësishëm, sepse shumica nga radhët e tyre duhet të jenë pjesë e Vetingut. Analisti Dame Çkatroski vlerëson se deri sa nuk hartohet një proces gjithëpërfshirës për Veting për të gjitha institucionet, deri atëherë partitë politike do të kalkulojnë që të fitojnë në kohë.
“Me gjasa Vetingu do të përfshijë 2000 deri 3000 të punësuar në gjithë administratën, të cilët do të duhet të zëvendësohen ose ti lirojnë vendet e tyre të punës. Ndërsa sa i përket gjyqësorit atje do të jetë “beteja” më e madhe, ngjashëm edhe në MPB. Megjithatë deri në fund të vjeshtës do të duhet të fillohet me këtë proces. Nuk duhet që vendi të shkojë në zgjedhje pa e zgjidhur këtë problematik”, deklaroi Çkatroski. Ai thekson se në gjyqësor detyrimisht duhet të zbatohet edhe i ashtuquajturi “Veting tranzitor”, proces ky që do të kundërshtohet ashpër. (koha.mk)