Gjërat nuk po shkojnë aspak mirë te Real Madrid. Përmirësimi i rezultateve dhe pozicionit në renditje në krahasim me epokën Lopetegui nuk mjafton. Këtë po e mëson shumë mirë Santiago Solari, që në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Real Sociedad, e cila vjen pas barazimit zhgënjyes 2-2 me Villarreal, ka bërë disa deklarata që ndoshta do të kishte bërë mirë t’i mbante për vete.
Deklarata e parë që ka acaruar tifozët ka të bëjë me renditjen. “Jemi të kënaqur, kemi kaluar nga vendi i nëntë tek i katërti, nuk ka qenë e lehtë”. Një rezultat i mirë për çdo skuadër tjetër ndoshta, por jo për Real Madrid. Dhe tifozët kanë shpërthyer në rrjetet sociale. “Nuk meriton të kalojë asnjë minutë më shumë në drejtim të Real-it”.
Por edhe ata që nuk janë mbështetës të “Los Blancos” nuk mund të mos e pranojnë se një deklaratë e tillë është në kontrast të plotë me filozofinë e klubit. “Ai që flet është trajneri i Real Madrid. Ju lutem, REAL MADRID, bijtë e mi!”. Me pak fjalë, një koncept që nuk është pëlqyer, deri në atë pikë sa ka ardhur edhe një “Don Jose na shpëto”, drejtuar Mourinho-s.