Vetëvendosje shpall fitoren në Podujevë, LDK-ja thotë se është duke prirë

38

Deputetë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shpallur fitues Shpejtim Bulliqin në Podujevë ende pa u shpallu rezultatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, përmes një postimi në Facebook, ka uruar për fitoren.

“Nuk besuan por pësuan me gjithë asfaltin e natës. Urime fitorja në Podujevë”, ka shkruar ai.

Edhe ish ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, Xhelal Sveçla, ka uruar fitoren e VV-së në këtë komunë.

Ndërkaq në një konferencë për media, KQZ-ja ka thënë se rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, do të shpallen në orën 21:00.

Ndërkohë, kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, ka deklaruar se janë në pritje të rezultateve dhe sipas rezultateve të tyre, janë duke prirë.

“Presim rezultate të mira. Sipas informacioneve që i kemi, jemi duke prirë pothuajse në të gjitha vendvotimet. Besoj se do të përmbyllet edhe kjo natë e sotme me fitore të LDK-së”, ka deklaruar Rudari në selinë e LDK-së në Podujevë.